Macron kritikohet për sulmin ndaj Sirisë
Presidenti francez Emmanuel Macron është nën zjarrin e kritikave për pjesëmarrjen e vendit të tij në sulmet ajrore të udhëhequra nga SHBA kundër Sirisë.
Të hënën, kreu i partisë së majtë, France Insoumise, Jean-Luc Melenchon, tha se nuk kishte asnjë dëshmi të sulmeve kimike të cilat u përdorën si pretekst për sulmet e udhëhequra nga SHBA ndaj Sirisë. "Është në këtë kontekst që morali dhe respektimi i Rezolutës së Kombeve të Bashkuara nuk janë plotësisht të dobishme, sepse kemi ndërhyrë pa ndonjë dëshmi dhe pa e vlerësuar situatën, "shtoi ai. "Po shtoj se jo vetëm që nuk kemi ndonjë mandat nga Kombet e Bashkuara, por nuk kemi marrë në konsideratë asnjë organizatë rajonale të përfshirë në situatën në Siri, ose të paktën ato perëndimore", shtoi Melenchon. Kryetarja e Frontit Kombëtar, Marine Le Pen, gjithashtu tha se Macron nuk kishte ofruar ndonjë dëshmi të përdorimit të armëve kimike nga regjimi sirian. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron pranoi të martën se sulmet ajrore në Siri "nuk zgjidhin asgjë", por duke marrë rolin e avokatit të bashkësisë ndërkombëtare, shtoi se Franca, Britania dhe Shtetet e Bashkuara ishin detyruar të sulmonin për të mbrojtur "nderin" e bashkësisë ndërkombëtare.