Kim Jong-un: Ndalim testimet bërthamore
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka deklaruar se tashmë nuk ka më nevojë për kryerjen e testeve të reja bërthamore.
“Që nga 21 prilli, Koreja e Veriut do të ndalojë testimet bërthamore dhe lëshimin e raketave balistike ndërkontinentale”, tha Agjencia Qendrore e lajmeve koreano-veriore, siç citohet nga agjencia Yonhap e Koresë së Jugut. Sipas kësaj agjencie, Koreja e Veriut mbylli një qendër testimi bërthamor në veri të vendit për të dëshmuar pezullimin e testeve të saj bërthamore. Ky vendim u mor në takimin vjetor të Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve të Koresë së Veriut. Duke reaguar ndaj këtij vendimi, presidenti i SHBA, Donald Trump, në një postim të tij në Twitter theksoi: "Koreja e Veriut ka rënë dakord të pezullojë të gjitha testimet nukleare dhe të mbyllë një nga vendet kryesore të testimit. Ky është një lajm i mirë për Korenë e Veriut dhe botën. Progres i madh, po presim takimin tonë me udhëheqësin e Koresë së Veriut". Tensionet janë ulur ndjeshëm kohët e fundit mes SHBA dhe Koresë së Veriut dhe palët po punojnë për të përcaktuar detajet e një takimi mes Trump dhe Kim Jong-un, që pritet të mbahet së shpejti.