Seuli mbledh altoparlantët në kufirin me Korenë e Veriut
Koreja e jugut ka mbledhur altoparlantët e vendosur në kufirin me Korenë e Veriut. Koreja e Jugut ka ndaluar propagandën që zhvillonte me anë të altoparlantëve përgjatë kufirit me Korenë e Veriut, një çështje kjo që ishte në krye të bisedimeve javën e shkuar.
Jugu kishte instaluar dhjetëra altoparlantë përgjatë zonës së kufirit, e cila transmetonte që nga muzika pop deri tek lajmet kriktikuese për Veriun. Këto transmetime mund të dëgjoheshin nga trupat Koreano Veriore të pozicionuara përgjatë kufirit civil. Seuli tha se "fikja e tyre mund të ndihmojë në zbutjen e toneve gjatë bisedimeve të së Premtes." Koreja e Veriut ka gjithashtu sistemin e saj të altoparlantëve përgjatë kufirit, të cilët transmetojnë lajme kritike ndaj Seulit dhe aleatëve të tij. Nuk dihet ende, nëse edhe ata altoparlantë do të fiken ose jo. Të tilla veprime ndërmerren në kohën kur të dy koretë kanë arritur një marrëveshje që mund të përmirësojë marrëdhëniet dypalëshe. Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ka në plan të ftojë ekspertë dhe gazetarë nga Seuli dhe Shtetet e Bashkuara për të parë momentin kur Koreja e Veriut të mbyllë objektin e saj të provave bërthamore, në maj. Njoftimin e bënë sot zyrtarë koreano-jugorë. Sekretari i shtypit në zyrën e presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Young-chan, citoi udhëheqësin koreano-verior sipas të cilit “Shtetet e Bashkuara, megjithëse janë nga natyra e tyre armiqësore ndaj Koresë së Veriut, do të mësojnë sapo të fillojnë bisedimet se unë nuk jam një individ që do të përdorë armë bërthamore kundër Koresë së Jugut apo Shteteve të Bashkuara në anën tjetër të Paqësorit”. Zoti Kim premtoi të ndryshojë orën në Korenë e Veriut për ta sinkronizuar me Korenë e Jugut. Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur optimizëm për takimin me udhëheqësin koreano-verior pas bisedimeve që zhvilloi dje me Presidentin e Koresë së Jugut Moon Jae-in dhe kryeministrin e Japonisë Shinzo Abe.