Reali në finalen e Champions League
https://parstoday.ir/sq/news/world-i74436
Është mbyllur në barazim 2-2 ndeshja e dytë gjysmëfinale e Champions League mes Real Madrid dhe Bayern Munchen, duke bërë që madrilenët të jenë finalistët e parë të kompeticionit më të rëndësishëm për klube.
(last modified 2024-12-07T13:52:14+00:00 )
May 02, 2018 09:12 Europe/Tirane
  • Reali në finalen e Champions League

Është mbyllur në barazim 2-2 ndeshja e dytë gjysmëfinale e Champions League mes Real Madrid dhe Bayern Munchen, duke bërë që madrilenët të jenë finalistët e parë të kompeticionit më të rëndësishëm për klube.

Bavarezët kaluan shumë shpejt në avantazh me Kimmich. Që në minutën e tretë, mbrojtësi i djathtë shënoi në portën e Keylor Navas, ashtu siç bëri edhe në përballjen e parë mes këtyre dy skuadrave. Por, pas 8 minutash ishte Benzema ai që barazoi me kokë, pas një krosimi të Marcelos. Pjesa e parë e ndeshjes Real Madrid-Bayern përfundoi me polemika. Kimmich, autori i golit të bavarezëve, krosoi nga e djathta dhe topi u përplas në dorën e Marcelos, i cili e kishte të shkëputur nga trupi. Futbollistët bavarezë kërkuan penallti, por arbitri turk Cuneyt Cakir la lojën të vazhdonte.Sapo filloi pjesa e dytë, Ulreich bëri një gabim të pafalshëm pas një kthimi të topit pas, duke u rrëzuar e duke i lënë portën bosh francezit Benzema, i cili shënoi golin e dytë. Barazimi erdhi nga një ish i Realit, James Rodriguez, i cili i kërkoi falje publikut pasi shënoi me të djathtën. Ndeshja e parë mes Real dhe Bayern kishte përfunduar me fitoren 2-1 të madrilenëve.