Qeveri tranzicioni apo zgjedhje të reja? Sot vendimi!
Nis sot në Itali raundi i tretë dhe i fundit i konsultimeve të Presidentit të vendit për formimin e qeverisë së re italiane. Në rast se dhe kësaj here nuk arrihet një marrëveshje qeverisëse, zgjidhja e vetme mbetet rikthimi në zgjedhje të reja.
Brenda ditës së sotme kreu i shtetit do të takohet me përfaqësuesit e forcave kryesore politike për të gjetur formulën më të mirë të mundshme në zgjidhjen e ngërcit të ekzekutivit të ri. Kreu i Partisë "Lidhja" mbërrin në këtë takim me një propozim të qartë. "Jo një qeveri teknike, ka deklaruar lideri i saj Matteo Salvini , por një qeveri politike tranzicioni në koalicion me Lëvizjen 5 Yje, me afat deri në dhjetor të 2018 dhe me objektiv zgjidhjen e problemeve më emergjente të vendit." Pak orë para takimit me Presidentin Mattarella, lideri i 5 Yjeve, Luigi Di Maio i është përgjigjur pozitivisht këtij propozimi, por me kusht që kryeministri i kësaj qeverie tranziconi mos të jetë as Salvini , as Di Maio por një person i tretë i zgjedhur me konsensus mes tyre. Sipas 5 Yjeve programi i kësaj qeverie tranzicioni duhet të ketë si objektiv eleminimin e ligjit të pensionit, një ligj të ri antikorrupsion e miratimin e një ligj që parashikon një standard të ardhurash që garanon jetën dinjitoze të çdo qytetari italian.