BE do të vazhdojë zbatimin e marrëveshjes bërthamore
Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe thanë se do të punojnë me palët e mbetura dhe nxitën Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të mos pengojë zbatimin e marrëveshjes.
Rusia dhe Kina, nënshkruesit e tjerë të paktit të vitit 2015, gjithashtu theksuan mbështetjen e tyre për marrëveshjen. Qeveritë e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, përmes një komunikate të përbashkët thanë se largimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ndryshon qëllimin e tyre dhe të marrëveshjes, ndaj dhe do të vazhdojnë të punojnë për këtë. Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se BE-ja “është e vendosur të ruajë marrëveshjen”. “Presim që pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare të vazhdojë të bëjë pjesën e saj, për të garantuar vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes, për hir të sigurisë sonë kolektive”, tha Mogherini. Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, në kohën e të cilit është nënshkruar marrëveshja, tha se ajo ka funksionuar dhe se ka qenë në interes të SHBA-së. “Largimi nga marrëveshja bërthamore u kthen shpinën aleatëve më të afërt të Amerikës”, tha Obama. Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara tha se Antonio Guterres është “thellësisht i shqetësuar” nga vendimi i Trumpit dhe se u bën thirrje nënshkruesve të tjerë t’i zbatojnë angazhimet e tyre. Me përjashtim të Izraelit dhe Arabisë Saudite, që përshëndetën vendimin e Trumpit, çdo vend apo organizëm tjetër ka shprehur keqardhjen për tërheqjen amerikane, që sidoqoftë nuk u ndal.