Johnson drejtuar Theresa May: Mos tradhto përkrahësit e Brexit
Ministri i jashtëm i Anglisë në një paralajmërim serioz për kryeministren Theresa May ka thënë se plani i saj për marrëdhëniet doganore me BE pas procesit të Brexit nuk duhet të bëhet shkak për tradhti ndaj votuesve në referendumin për largimin e Anglisë nga unioni.
Boris Johnson është shprehur kundër planit mbështetës që është cilësuar një rrugëzgjidhje për kontestin lidhur me kufirin e Irlandës së Veriut. Johnson prej përkrahësve të Brexit ka kërkuar që t’i japin mundësi kryeministres Theresa May që të diskutojë dhe dialogojë për marrëveshjen tregtare me BE. Ai u ka rikujtuar mbështetësve të Brexit se ata nuk duhet të lejojnë që Britania e Madhe të qëndrojë në unionin e doganave me BE edhe pas vitit 2020 që është finalizimi i largimit të Britanisë nga BE. Në të njëjtën kohë ministri i jashtëm i Anglisë ka shtuar presionet ndaj kryeministres Theresa May duke i rikujtuar asaj se duhet të plotësojë premtimet e dhëna. Një prej premtimeve të kryeministres May është ndërprerja e plotë e marrëdhënieve të Anglisë me tregun e përbashkët evropian dhe me sektorët e tjerë të unionit. Deklarata e Johnson i cili është nga radhët e partisë konservatore një prej mbështetësve më të mëdhenj të procesit Brexit, do të thotë ndërprerje e plotë e të gjitha marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike të Britanisë së Madhe me BE dhe për daljen nga unioni doganor evropian. Kjo sjellje e ministrit të jashtëm anglez tregon se në partinë konservatore ekzistojnë dy mendime lidhur me procesin e realizimit të Brexit. Nga ana tjetër nga Irlanda jepen mundësi për mosrealizimin e procesit Brexit. Ditë më parë kryeministri irlandez, Leo Varadkar tha se Britania mund të dalë nga BE-ja pa një marrëveshje, nëse brenda qeverisë britanike vazhdojnë zënkat edhe gjatë javëve të ardhshme. Bisedimet për “Brexit”-in po humbasin rrugën, ndërsa Theresa May nuk ka mundur të ofrojë një zgjidhje për të shmangur kufirin fizik mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Kryeministri irlandez tha se, samiti i ardhshëm i Këshillit të Evropës, i planifikuar për muajin e ardhshëm, do të jetë thelbësor për bisedimet, pavarësisht përpjekjeve nga Sekretari për “Brexit”-in, David Davis dhe të tjerëve për të fshehur afatin përfundimtar. Mosmarrëveshjet brenda kabinetit “May” në këtë fazë të negociatave janë përshkruar nga mediat britanike si tronditëse. Në këtë kuadër, kryeministri irlandez Varadkar tha se, Dublini dhe Brukseli nuk kanë parë asgjë nga Britania që t’i afrohet sadopak një zgjidhjeje të ngërçit aktual. “Në qershor na duhet të shohim progres dhe ky progres do të vlerësohet nga Komisioni Evropian. Afati përfundimtar për marrëveshjen e largimit është tetori, por nëse nuk kemi progres në qershor, duhet të pyesin nëse do të kemi vërtet ndonjë marrëveshje largimi”, deklaroi kryeministri irlandez. Qeveria britanike është zotuar se do të gjejë një zgjidhje, që të mos ketë nevojë për kontrolle kufitare mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut. Në samitin e 29 qershorit pritet që Londra të paraqesë një plan për raportet e ardhshme tregtare, po ky do të injorohet plotësisht nëse çështja irlandeze nuk do të jetë zgjidhur dhe të ketë marrë miratimin e Dublinit dhe Brukselit.