Betohet kryetarja e re e CIA-s amerikane
Kryetarja e re e CIA-s amerikane ka bërë betim në prani të kryetarit të shtetit.
Në ceremoninë e betimit të 61-vjeçares Haspel, që u mbajt në selinë qendrore të CIA-s në dalje të Uashingtonit, mori pjesë edhe Presidenti Donald Trump. “Gina është e fortë, e vendosur dhe kur vjen puna për të mbrojtur Amerikën, ajo nuk tërhiqet kurrë”, tha presidenti Trump. “Burrat dhe gratë e kësaj agjencie meritojnë udhëheqje të jashtëzakonshme dhe atë po marrin”, tha ai. Zoti Trump e quajti zonjës Haspel “një person shumë të veçantë … që i ka shërbyer vendit me aftësi dhe përkushtim të jashtëzakonshëm”. Askush në këtë vend nuk është më i kualifikuar se ju për këtë detyrë të jashtëzakonshme, i tha presidenti zonjës Haspel. Gina Haspel zëvendëson në këtë detyrë Mike Pompeon, i cili së fundmi mori detyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit. Zoti Pompeo ishte gjithashtu i pranishëm në ceremoninë e betimit të drejtores së re të CIA-s. Për zonjën Haspel puna e saj në CIA dhe ajo punonjësve të tjerë të shërbimit të fshehtë amerikan është më shumë se një karrierë. Senati amerikan e miratoi kandidaturën e zonjës Haspel të enjten e kaluar me 54 vota pro dhe 45 kundër, duke i dhënë fund një procesi të trazuar të emërimit saj, gjatë të cilit ligjvënësit rishqyrtuan praktikat e mëparshme të marrjes në pyetje që zbatoheshin nga CIA. Gjashtë demokratë votuan në favor të zonjës Haspel, ndërsa dy republikanë e kundërshtuan emërimin e saj.