Çfarë vjen pas anulimit të takimit SHBA - Kore e Veriut?
Zëvendës ministri i jashtëm i Koresë së Veriut, Kim Kye Gwan tha të premten se vendi i tij është i hapur për të diskutuar me Shtetet e Bashkuara, megjithëse presidenti Donald Trump e anuloi takimin e qershorit me udhëheqësin koreano-verior, Kim Jong Un. Zoti Trump e quajti sot në mëngjes lajm të mirë deklaratën “e ngrohtë dhe produktive” nga Koreja e Veriut.
Ai tha në Twitter se shpreson që ky qëndrim të sjellë si rezultat begati dhe paqe, por shtoi se vetëm koha do ta tregojë. Ai kishte thënë se e anuloi takimin për shkak të retorikës së ashpër dhe armiqësore nga Pheniani. Në një deklaratë të publikuar nga agjencia koreano-veriore e lajmeve, zëvendës ministri i jashtëm Kim tha se Pheniani është i hapur për zgjidhjen e problemeve me Shtetet e Bashkuara në çdo kohë dhe me çdo mënyrë. Ai tha gjithashtu se Koreja e Veriut i vlerësonte lart përpjekjet e Presidentit Trump që ai tha se ishin të pashembullta nga çdo president për të realizuar një takim historik mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara. Trump shprehu keqardhje që takimi nuk do të zhvillohet dhe tha se shpreson që të mbahet në një rast tjetër në të ardhmen.