Kim Jong-un zotohet për samitin me Trump
Udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong-un rikonfirmoi angazhimin e tij për të “përmbushur” denuklearizimin e gadishullit Korean, si dhe për takimin e planifikuar me presidentin amerikan Donald Trump.
Të paktën kështu u shpreh presidenti koreano-jugor, Moon Jae-in. Moon dhe Kim ranë dakord gjatë një takimi të papritur të mbajtur gjatë së shtunës se, samiti i mundshëm mes Koresë së Veriut dhe Amerikës duhet zhvilluar. “Udhëheqësi Kim dhe unë kemi rënë dakord që samiti i 12 qershorit duhet zhvilluar dhe duhet të jetë i suksesshëm, ndërsa objektivi ynë për denuklearizimin e gadishullit Korean dhe për një regjim paqësor nuk duhet ndalur”, tha Moon gjatë një konference për shtyp në Seul. Një deklaratë e agjencisë koreano-veriore të lajmeve “KCNA” bënte të ditur se Kim kishte shprehur “vullnetin e tij të palëkundur” mbi takimin e mundshëm me Trumpin siç ka qenë planifikuar. Në Uashington, presidenti amerikan Trump la të kuptohej se përgatitjet për samitin e 12 qershorit me Kim Jong-unin ishin duke vijuar rregullisht, pavarësisht se ai anuloi takimin gjatë javës së fundit.