Vjen hakmarrja e BE ndaj SHBA-së
https://parstoday.ir/sq/news/world-i77372-vjen_hakmarrja_e_be_ndaj_shba_së
Bashkimi Evropian njoftoi të mërkurën se do të nisë vënien e tarifave mbi disa prodhime amerikane, nisur nga muaji korrik.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 06, 2018 14:35 Europe/Tirane
  • Vjen hakmarrja e BE ndaj SHBA-së

Bashkimi Evropian njoftoi të mërkurën se do të nisë vënien e tarifave mbi disa prodhime amerikane, nisur nga muaji korrik.

Ky veprim vjen në përgjigje të vendimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të vënë tarifa mbi importet e çelikut dhe aluminit nga Evropa. "Kjo është një përgjigje e matur dhe proporcionale ndaj vendimit të njëanshëm dhe të paligjshëm të marrë nga Shtetet e Bashkuara", tha nënpresidenti i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviç. Bashkimi Evropian tha se do të vendosë tarifa "ribalancuese" mbi disa prodhime bujqësore dhe të tjera të SHBA-së. Trump ka vënë tarifa prej 25% në importet e çelikut dhe 10% në importet e aluminit nga Evropa, që nga 1 qershori. Ai ka thënë se me këtë veprim synohet të mbrohen interesat e sigurisë kombëtare në SHBA, por, sipas evropianëve, ai është thjesht proteksionizëm dhe thyen rregullat globale të tregtisë. Bashkimi Evropian - blloku më i madh tregtar në botë - e ka çuar rastin edhe në Organizatën Botërore të Tregtisë. "Reagimi i BE-së është plotësisht në përputhje me ligjin ndërkombëtar të tregtisë. Na vjen keq që SHBA-ja na ka lënë pa asnjë mundësi tjetër për të mbrojtur interesat e BE-së", tha përmes një deklarate komisionerja e BE për Tregtinë, Cecilia Malmstrom.