Gjermania: BE të gjejë partnerë të rinj në botë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i77582-gjermania_be_të_gjejë_partnerë_të_rinj_në_botë
Përpara samitit të G7 në Kanada, Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas ka kritikuar Presidentin e SHBA dhe administratën e tij mbi vendimet e tyre të fundit politike, të cilat dëmtojnë Europën.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 09, 2018 14:30 Europe/Tirane
  • Gjermania: BE të gjejë partnerë të rinj në botë

Përpara samitit të G7 në Kanada, Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas ka kritikuar Presidentin e SHBA dhe administratën e tij mbi vendimet e tyre të fundit politike, të cilat dëmtojnë Europën.

Kritikat e tij erdhën menjëherë pasi Presidenti i Francës, Macron, e kritikoi presidentin Trump, duke paralajmëruar izolimin e mundshëm të SHBA. Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, i cili përfaqëson socialdemokratët në qeveri, i ka thënë gazetës Sueddeutsche Zeitung se ka dallime midis Berlinit dhe Uashingtonit dhe se vendi i tij "nuk mund të gjunjëzohet". Ai vuri në dukje tërheqjen e njëanshme të Donald Trump nga marrëveshja e Parisit mbi klimën , nga marrëveshja e Iranit dhe vendosja e tarifave të importit për çelikun dhe aluminin, të cilat Evropa i kundërshtoi fuqishëm, duke pasur frikë pasojat negative. Sipas Maas, presidenti amerikan "me vetëdije mori parasysh ndikimin e menjëhershëm në Evropë të vendimeve të tij". Maas theksoi në veçanti tërheqjen e SHBA nga marrëveshja e Iranit, duke thënë se kjo ishte veçanërisht kritike për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kredibilitetin e Perëndimit. "Ishim mësuar të mbështetemi në zbatimin e marrëveshjeve, por kjo ka ndryshuar rrënjësisht,"  tha ai. Edhe pse Ministri i Jashtëm siguroi se SHBA "mbetet partneri ynë më i afërt jashtë Evropës", ai deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të konsiderojë gjetjen e partnerëve të rinj. Parimi kyç në këtë mision do të ishte sigurimi i një "aleance me ata që duan të ruajnë rendin botëror shumëpalësh". Ai vuri në dukje Kanadanë, si dhe vendet në Afrikë, Amerikë Latine dhe Azi si partnerë të mundshëm.