Sanksionet kundër Koresë V. mbeten “deri në denuklearizimin e plotë”
(last modified Thu, 14 Jun 2018 10:57:35 GMT )
Qershor 14, 2018 12:57 Europe/Tirane
  • Sanksionet kundër Koresë V. mbeten “deri në denuklearizimin e plotë”

Koreja e Veriut nuk do të shohë lehtësim të sanksioneve ekonomike derisa nuk e dëshmon “denuklearizimin e plotë”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Ai i bëri këto komente në një konferencë për media në Seul, pak ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe lideri verikorean, Kim Jong Un, mbajtën një takim historik në Singapor.

Trump dhe Kim nënshkruan një deklaratë, duke u zotuar se do të ndërtojnë një marrëdhënie të re.

Kim po ashtu premtoi se do të punojë drejt “denuklearizimit të plotë të Gadishullit Korean”.

Por, disa vëzhgues e kritikuan deklaratën, duke thënë se nuk përmban detaje se si Koreja e Veriut do të shkatërrojë arsenalin e saj bërthamor dhe si do të verifikohet një proces i tillë.

Pompeo tha se SHBA “mbetet e përkushtuar për arritjen e denuklearizimit të plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm të Koresë së Veriut”.

Por ka patur dyshime të mëdha rreth marrëveshjes, me vëzhgues që ngrinin pikëpyetje mbi atë se si Korea e Veriut do të mund të hiqte dorë nga armët bërthamore dhe se si mund të verifikohej një proces i tillë.

Trump ka thënë pas takimit 'historik', se 'sanksionet, të cilat e kufizojnë shumë Korenë e Veriut për të bashkëvepruar me vendet e tjera të botës, do të mbeten në fuqi derisa armët bërthamore të mos jenë më një faktor', por është e paqartë se çfarë donte të thoshte saktësisht presidenti amerikan.

Tags