BE i gatshëm për hakmarrjen kundër tarifave të SHBA
Vendet e Bashkimit Evropian të enjten mbështetën unanimisht një plan për të imponuar tarifa të importit për 2,8 miliardë euro ndaj produkteve amerikane, pasi Uashingtoni sanksionoi çelikun dhe aluminin e BE me tarifa në fillim të qershorit, thanë burimet e BE.
Komisioni Evropian ka propozuar vendosjen e tarifave 25 për qind ndaj mallrave të SHBA si lëngu i portokallit, xhinset, motoçikletat Harley Davidson, në përgjigje të asaj që shihet si veprim i paligjshëm i SHBA që prek 6,4 miliardë euro të eksporteve të BE. Presidenti i SHBA, Donald Trump, në fillim të qershorit rriti për 25 për qind tarifat e çelikut nga Bashkimi Evropian, Kanadaja dhe Meksika dhe deri në 10 për qind tarifat ndaj aluminit. Ndërkohë, Kanadaja ka njoftuar se do të imponojë tarifa hakmarrëse me vlerë prej 16.6 miliardë dollarë ndaj eksporteve amerikane nga 1 korriku. Meksika vendosi tarifat në një gamë të gjerë produktesh amerikane javën e kaluar.