Trump: Pse të mos e pushtojmë Venezuelën?
Në përfundim të një takimi gushtin e vitit të kaluar në Zyrën Ovale, ku po diskutoheshin sanksionet ndaj Venezuelës, presidenti Donald Trump iu kthye ndihmësve të tij më të lartë me një pyetje "gjeniale".
“Duke parë se shthurja tejet e shpejtë e Venezuelës kërcënon sigurinë rajonale, përse Shtetet e Bashkuara nuk e pushtojnë vendin problematik?” Pyetja në formë sugjerimi tronditi dhe shtangu të pranishmit në takim, përfshi ish-Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, si dhe ish-këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, H.R. McMaster, që të dy këta të larguar tashmë nga administrata. Zbulimi i bisedës së mbajtur sekret deri më tani vjen nga një zyrtar i lartë i administratës, tejet familjar me atë se çfarë ndodhi në atë mbledhje. Në shkëmbimin e ideve që zgjati rreth 5 minuta, McMaster e të tjerët iu kthyen duke i shpjeguar Trumpit se si ndërhyrja ushtarake do të dështonte e do të rrezikonte të humbiste edhe mbështetjen të fituar me aq shumë mund mes qeverive të vendeve amerikano-latine. Por, Trumpi u tërhoq! Megjithëse nuk dha asnjë sinjal se ishte i gatshëm të urdhëronte planet për ndërhyrje ushtarake, ai vuri në dukje ato që i konsideroi si raste të së kaluarës të diplomacisë së suksesshme përmes armëve në rajon, – thekson zyrtari, – si pushtimet e Panamasë dhe Grenadës në vitet ’80. Ideja, me gjithë përpjekjet e ndihmësve të tij për ta hedhur poshtë, gjithsesi vazhdon të mbetet në kokën e presidentit amerikan.