Kriza politike në Mbretërinë e Bashkuar
Boris Johnson jep dorëheqjen si Sekretar i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar. Ky largim nga radhët e qeverisë britanike vjen pas dorëheqjes së Sekretarit të Brexit David Davis.
Dorëheqja e Johnson vjen në një kohë kur vendi është mes një krize ne rritje politike mbi strategjinë e daljes së Britanisë së Madhe nga BE. Largimi i tij erdhi 30 minuta para adresimit të Kryeministres Theresa May në parlament në lidhje me planin e saj për Brexit, gjë që ka zemëruar deputetët konservatorë. Kryeministrja Theresa May e pranoi dorëheqjen e Johnsonit, bëri të ditur zyra e saj. Emri i pasardhësit do të publikohet së shpejti. Në mes të një faze delikate negociatash me Bashkimin Evropian për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, është larguar nga kabineti edhe një anëtar tjetër i rëndësishëm i qeverisë. Me këtë, qeveria May ndodhet në një krizë masive qeveritare, nëntë muaj para Brexitit. Vërtet që shkaqet e dorëheqjes së Boris Johnsonit ende nuk dihen. Megjithatë, të dielën në mbrëmje pati dhënë dorëheqje për shkak të një mosmarrëveshjeje për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian ministri i Brexitit, David Davis. Ashtu si Davis, Boris Johnsoni bënte pjesë në mbështetësit e vijës së pakompromis për Brexitin. Për shkak të mospajtimeve në kabinetin britanik, negociatat e shkëputjes nga BE me Komisionin Evropian thuajse ngecën në vend. Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, e mbrojti planin e saj për Brexit, apo daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, edhe pse ai nxiti dorëheqjen e dy ministrave. May tha se plani është e vetmja mënyrë për të shmangur një "kufi të rreptë" me Irlandën dhe për të ruajtur lidhjet me Brukselin. Duke folur para Parlamentit britanik, May tha se programi i saj, i cili do të lejojë lëvizjen e lirë të mallrave, por jo të shërbimeve, është "Brexit-i i duhur", sepse mundëson shmangien e kontrolleve në kufirin midis Irlandës - pjesë e Bashkimit Evropian - dhe Irlandës Veriore - pjesë e Mbretërisë së Bashkuar. Megjithatë, ministri për Brexit, David Davis, dhe sekretari i jashtëm britanik, Boris Johnson, dhanë dorëheqje, duke thënë se nuk besojnë në planin e tillë. Nivelet e integrimit të Britanisë me tregun e përbashkët të BE-së, pas Brexit-it, dhe natyra e kufirit midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës kanë qenë ndër çështjet më të vështira në negociatat e deritashme për Brexit. Komisioni Evropian refuzoi të komentojë dorëheqjet e ministrave britanikë, duke thënë se do të vazhdojë të negociojë me "vullnet të mirë" për të siguruar marrëveshjen mbi kushtet e daljes së Britanisë nga BE-ja dhe marrëdhëniet e ardhshme.