Trump shmang Londrën prej protestave
https://parstoday.ir/sq/news/world-i79347-trump_shmang_londrën_prej_protestave
Presidenti i SHBA Donald Trump ka mbërritur në Britani për një vizitë katër-ditore gjatë së cilës ai do të takohet me Kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar Theresa May dhe me Mbretëreshën Elizabeth, por do të shmangë kryeqytetin ku protesta masive janë planifikuar kundër politikave të tij.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Korrik 12, 2018 15:29 Europe/Tirane
  • Trump shmang Londrën prej protestave

Presidenti i SHBA Donald Trump ka mbërritur në Britani për një vizitë katër-ditore gjatë së cilës ai do të takohet me Kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar Theresa May dhe me Mbretëreshën Elizabeth, por do të shmangë kryeqytetin ku protesta masive janë planifikuar kundër politikave të tij.

Presidenti amerikan do të qëndrojë në Britani të Madhe deri në mbrëmjen e së dielës, kur do të shkojë në Helsinki, kryeqyteti i Finlandës, për një samit me presidentin rus Vladimir Putin. Sigurisht, mbërritja e tij në Londër është shoqëruar me masa shtesë sigurie, për më tepër që duhet të monitorohen dhe të sigurohet mbarëvajtja e disa protestave të planifikuara që do të shoqërojnë vizitën e tij. Trump në masë të madhe do të shmangë Londrën apo qytete të tjera që mund të mbajnë protesta të rëndësishme kundër politikave të tij. Ai në vend të kësaj do të qëndrojë kryesisht në zona të izoluara nga publiku në komplekse apo pallate të ndryshme të vendit. Demonstratat e planifikuara mbarëkombëtare kundër Trump janë iniciuar nga një koleksion i organizatave të ndryshme që protestojnë për çdo qëndrim të liderit populist amerikan përfshirë seksizmin, racizmin dhe islamofobinë. Trump është vënë në qendër të kritikave kohët e fundit për shkak të politikës së tij për emigracionin, që rezultoi me ndarjen e fëmijëve nga familjarët e tjerë që hynin në mënyrë të paligjshme në SHBA. Protestat kryesore në Londër do të fillojnë nga e enjtja dhe do të vazhdojnë gjatë gjithë fundjavës derisa Trump të largohet për në Helsinki. Trump ka bërë përpjekje të veçanta për të shmangur protestat, duke përfshirë një bojkot presidencial të paprecedentë të qendrës së Londrës. Por protestat janë planifikuar të ndjekin çdo lëvizje të tij në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Edhe pse vizita historike e Trump është klasifikuar si një "vizitë pune" dhe jo si një "vizitë shtetërore", ai do të vazhdojë të përdorë mundësinë për t'u takuar me zyrtarët britanikë dhe për të diskutuar çështje të ndryshme, përfshirë marrëveshjet tregtare pas Brexit, Lindjen e Mesme, Rusinë dhe çështje të tjera gjeo-politike.