Franca kurorëzohet kampione e botës
Kombëtarja e Francës është shpallur kampion bote në turneun ‘Rusia 2018’, pasi në finale e mposhti Kroacinë me rezultat 4-2.
Ndeshja nisi me një dominim të kroatëve me lojë, mirëpo pas një harkimi të Les Bleus në zonë, Mario Mandzukic shënoi me kokë në portën e gabuar (18′). Nuk kaluan as dhjetë minuta dhe rezultati u barazua. Ivan Perisic realizoi pas asistimit nga Domagoj Vida (28′). Mirëpo, Perisic shkaktoi penallti duke e prekur topin me dorë në zonë dhe Antoine Griezmann u tregua i saktë nga pika e bardhë (38′) për ta kthyer epërsinë e francezëve. Edhe pse Kroacia e diktonte tempin e lojës, ishin Les Bleus ata që u treguan të rrezikshëm përmes lojtarëve të tyre cilësorë. Fillimisht, Paul Pogba (59′) dhe pastaj Kylian Mbappe (65′), shënuan gola të bukur duke i shuar shpresat e kroatëve. Mario Mandzukic e shfrytëzoi një gabim të portierit Hugo Lloris duke e ngushtuar rezultatin, mirëpo epërsia ishte akoma shumë e lartë. Në vazhdim, skuadra kroate u përpoq vazhdimisht që të rikthehej në lojë, mirëpo pa sukses. Ky është triumfi i dytë në histori të Francës në Kampionatin Botëror. Për herë të parë, Les Bleus e kishin fituar Kupën e Botës para dy dekadash, në vitin 1998. Ndërkaq, Kroacia duhet të kënaqet me suksesin më të madh në histori të përfaqësueses, arritjen deri në finale të një Kampionati Botëror.