Trump pas takimit me Putin: Nuk kemi pasur marrëveshje të fshehtë
Pas takimit që zgjati më shumë se dy orë, presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin, kanë mbajtur konferencë të përbashkët për media.
Trump ka thënë se adresoi edhe çështjen e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale në Amerikë. “Mendoj që më së miri ishte të bisedohej ballë për ballë”, ka thënë Trump pas takimit dy orësh me presidentin Putin. Presidenti amerikan ka thënë se kaloi shkëlqyer me Putinin edhe kur biseduan për këtë çështje dhe se ‘ai ka një ide interesante për këtë’. Kur foli për hetimin që po bëhet për mundësinë e interferimit të Rusisë në zgjedhjet, Trump tha, “nuk ka marrëveshja të fshehtë. Unë e kam mposhtur lehtë Hillary Clintonin”. Trump po ashtu ka thënë se SHBA dhe Rusia do të mund të shpëtonin mijëra jetë në Siri. “Kjo ka qenë një ditë mjaft konstruktive dhe kaluam disa orë konstruktive së bashku”, ka shtuar Tump. Më tej , ai ka thënë se beson që do të takohen serish në të ardhmen, dhe më shpesh. Presidenti Putin gjithashtu përshëndeti samitin, duke thënë se takimi shënoi hapat e parë për të rivendosur "një nivel të pranueshëm besimi dhe për t'u kthyer në nivelin e mëparshëm të ndërveprimit në të gjitha çështjet e interesit të ndërsjelltë". "Negociatat me Trump u zhvilluan në një atmosferë të hapur dhe konstruktive, unë i konsideroj mjaft të suksesshme dhe të dobishme", tha udhëheqësi rus. Presidenti Putin tha se ai shprehu shqetësimin e tij lidhur me vendimin e Trump-it për tërheqjen e SHBA nga marrëveshja bërthamore e Iranit. "Ne kemi përmendur shqetësimin tonë në lidhje me tërheqjen e SHBA nga marrëveshja. Falë marrëveshjes bërthamore të Iranit, Irani pranoi kontrollin e ANEA, ajo në mënyrë efektive siguron natyrën paqësore të programit bërthamor iranian, "tha udhëheqësi rus. Edhe Putin është pyetur për dyshimet se Rusia ka pasur interferim në zgjedhjet presidenciale të SHBA’së në vitin 2016. Pasi Trump foli disa minuta për interferimin rus në konferencë për media në Helsinki të Finlandës, e mori fjalën edhe presidenti rus, Vladimir Putin. “Pse po mendoni që Trump më beson mua, ose unë i besoj atij”, ka thënë presidenti rus. Megjithatë Putin nuk e ka fshehur simpatinë që kishte për Trump, kundrejt kandidates demokrate, Hillary Clinton. “Kam dashur të fitojë Trump sepse ai fliste për normalizim të raporteve me Rusinë”, ka thënë ai.