Gjermania anulon sanksionet kundër Turqisë
(last modified Sun, 22 Jul 2018 07:21:09 GMT )
Korrik 22, 2018 09:21 Europe/Tirane
  • Gjermania anulon sanksionet kundër Turqisë

Qeveria gjermane duke reaguar ndaj përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme në Turqi, ka hequr sanksionet ekonomike të vendosura kundër Ankarasë.

Qeveria gjermane që prej vitit 2017 në shenjë proteste ndaj arrestimit të 6 aktivistëve për të drejtat e njeriut në Turqi dhe pas shtimit të tensioneve politike mes Berlinit dhe Ankarasë, vendosi sanksione ekonomike kundër Turqisë. Kuota prej 1.5 miliard euro e përcaktuar si tavani i shkëmbimeve tregtare me Turqinë, është anuluar ditën e shtunë nga qeveria gjermane. Pas zgjatjes disa herë, Turqia më në fund e hoqi gjendjen e jashtëzakonshme të vendosur pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016. Megjithatë, shteti synon që t’i ruajë fuqitë e zgjeruara që burojnë prej saj përmes një ligji të ri kundër terrorit, i cili ndalon edhe protestat. Në vazhdën e ngjarjeve të korrikut dy vjet më parë, qeveria turke ndërmori një fushatë të paprecedentë shënjestrimi të pjesëmarrësve në përpjekjen për grusht shteti dhe aleatëve të tyre. Masat energjike u përhapën shumë shpejt, duke përfshirë edhe përkrahësit e klerikut të mërguar Fetullah Gylen, ndaj të cilit drejtohet gishti i akuzës për tentativën e përmbysjes së lidershipit turk. Por autoritetet vendase nuk u mjaftuan me kaq: në lupën e tyre u gjendën edhe simpatizantë të kauzës kurde, gazetarë e aktivistë të majtë. Në pranga përfunduan më shumë se 77 000 vetë, ndërsa 110 000 punonjës shtetërorë, përfshirë këtu policë, oficerë ushtarakë, akademikë, prokurorë e gjyqtarë u pushuan nga puna. 

Tags