Putin shprehet i gatshëm të takohet me Trump
Presidenti rus kritikoi politikën e sanksioneve të ndërmarrë nga presidenti amerikan Donald Trump, duke shtuar se sanksionet kanë dobësuar besimin botëror ndaj dollarit.
Vladimir Putin tha të premten në Johanesburg, të Afrikës së Jugut, se askush nuk priste që monedha të përdoret si një armë. Presidenti rus Vladimir Putin tha se ai e ka ftuar homologun e tij amerikan Donald Trump në Moskë për bisedime mbi një varg çështjesh, por kërkoi që të gjitha kushtet të jenë të përshtatshme për një takim të tillë. "Unë jam gati të shkoj në Uashington dhe përsëris edhe një herë, nëse krijohen kushtet e duhura për punë", u tha gazetarëve të premten Putin, pas një samiti të udhëheqësve të grupit BRICS. Duke vënë në dukje reagimin e Uashingtonit pas takimit me Trump në samitin e Helsinkit, Putin tha: "Pavarësisht vështirësive, në këtë rast të veçantë, vështirësitë që lidhen me situatën e brendshme politike në Shtetet e Bashkuara, jeta vazhdon dhe kontaktet tona vazhdojnë".