Amerika vendos sanksione të reja kundër Koresë së veriut
Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione të reja kundër Koresë së Veriut.
Sipas një njoftimi të agjencisë Sputnik, me gjithë marrëdhëniet e mira të liderëve të Amerikës dhe Koresë së veriut, departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione të reja kundër Phenianit. Një ditë më parë Mike Pompeo sekretari amerikan i shtetit ka akuzuar Korenë e Veriut se po shkel premtimin për uljen e aktiviteteve atomike. Ndërkohë zyrtarët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë shprehur shqetësimin se Rusia po shkel sanksionet e vendosura ndaj Koresë së Veriut. Kjo pasi Moska ka pajisur me leje pune rreth 10 mijë koreano-veriorë, që nga shtatori i vitit të kaluar dhe deri tani, sipas burimeve të ministrisë së Brendshme ruse. OKB-ja ka miratuar një paketë sanksionesh, që ndalon pajisjen me leje pune të koreano-veriorëve, për të shmangur hyrjen e parave nga remitancat në shtetin diktatorial. Ky sanksion, bashkë me shumë të tjerë, u vendosën për t’i bërë presion Penianit, që të heqë dorë nga programi bërthamor, që vijon ta zhvillojë ende edhe sot. Ministria e Jashtme ruse nuk dha asnjë koment për shqetësimin e Kombeve të Bashkuara, ndërsa për këtë çështje reagoi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit. “Është absolutisht e qartë se Rusia duhet të bëjë më shumë. Rusia thotë se dëshiron marrëdhënie më të mira me Shtetet e Bashkuara, kështu që Moska duhet të provojë se duke bashkëpunuar me ne, duke mos punuar kundër nesh, për këtë kërcënim urgjent për të gjitha kombet”, tha zëdhënësi i DASH-it. Aktualisht vlerësohet se koreano-veriorët që punojnë në Rusi, dërgojnë në shtetin e tyre rreth 150-300 milionë dollarë çdo vit.