Kompania kineze Sinopec pezullon importin e naftës nga SHBA
Gjigandi kryesor i naftës i Kinës ka ndaluar importimin e naftës nga SHBA për shkak të përshkallëzimit të luftës tregtare mes dy vendeve, njoftoi të dielën një e përditshme kineze.
Rafineria më e madhe e Kinës, Sinopec, po pezullon porosi të reja të naftës së SHBA duke u frikësuar nga tarifat e reja për produktet energjetike të SHBA që do të bëhen më të shtrenjta, raportoi South China Morning Post duke cituar një burim pranë kompanisë. Bordi tregtar i Sinopec, i ka thënë agjencisë Reuters se kompania ka vendosur që të mos blejë naftë nga SHBA të paktën deri në tetor. Kina në shenjë hakmarrje ndaj rritjes së tarifave të SHBA, i ka vendosur produktet e energjisë së SHBA në një listë të tarifës prej 25 përqind. "Rënia e importit të naftës amerikan nga Kina vjen pak muaj pasi Uashingtoni i nxiti aleatët e tij për të ndalur importet e naftës nga Irani deri në nëntor. Pekini, megjithatë, nuk pranoi të ndalonte importet e naftës nga Irani, duke i dhënë një goditje përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të izoluar Iranin", shkruan e përditshmja kineze që botohet në Hong Kong.