Vizita e Putinit në Gjermani
Pas vizitës së Merkelit në maj në Soçi, ky është tashmë takimi i dytë midis Kancelares gjermane dhe Presidentit rus brenda tri muajsh.
Sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane , Steffen Seibert, në qendër të takimit do të jenë para së gjithash tri tema: lufta në Siri, kriza në Ukrainë dhe tubacioni i gazit Nord Stream 2. Objektivat nuk kanë ndryshuar. Rusia ka pozicionet e saj në lidhje me Sirinë dhe Ukrainën dhe një interes që të realizohet Nord Stream 2, dhe pala ruse do të vazhdojë t'i ndjekë këto objektiva. Që prej shpërthimit të konfliktit në Lindje të Ukrainës në pranverë 2014 atje janë vrarë mbi 10.000 vetë. Aneksimi i Krimesë nga Rusia në kuadër të konfliktit shkaktoi revoltim në botë dhe ka sinjale të qarta se ushtarakët rusë mbështesin separatistët prorusë dhe i kanë ndihmuar ata që të kontrollojnë pjesë të mëdha të Ukrainës. Së bashku me Francën, Gjermania është përpjekur disa herë që të negociojë një armëpushim mes trupave qeveritare dhe separatistëve, që do të mbikëqyrej nga ushtarët të OKB-së. Ky propozim u diskutua në mënyrë intensive, megjithatë pa rezultat. Që Merkeli dhe Putini të arrijnë në një qëndrim të përbashkët në çështjen e Sirisë, kjo duket edhe me më pak gjasa se në konfliktin e Ukrainës. Në luftën në Siri që prej vitit 2011 janë vrarë qindra-mijëra vetë dhe miliona janë larguar. Në 7 shtator në Stamboll do të zhvillohet një takim i kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të Turqisë, Francës, Gjermanisë dhe Rusisë. Në Meseberg Merkeli dhe Putini do të përpiqen që të përgatiten sa më mirë që të jetë e mundur për këtë takim të nivelit të lartë. Krejt në krye të agjendës duhet të jetë gjendja në provincën Idlib në Veriperëndim të Sirisë. Atje ushtria siriane ka nisur një ofensivë të madhe. Ky rajon konsiderohet si njëra nga kështjellat e fundit të terroristëve. Gjermania dhe Rusia kanë njëkohësisht një projekt të gjerë e të rëndësishëm të infrastrukturës: tubacionit e gazit natyror Nord Stream 2. Ky tubacion 1200 km i gjatë do të sjellë përmes Detit të Veriut gaz nga Rusia direkt në Gjermani. Por në Gjermani ky projekt shihet në mënyrë shumë kritike e me pasoja gjeopolitike. Përmes tij, tubacionet e gazit që kalojnë në rrugë tokësore, midis të tjerash përmes Ukrainës, do ta humbisnin rëndësinë. Prandaj Kancelarja kërkon nga Rusia që ajo të japë siguri se nuk do ta mbyllë furnizimin me gaz për Ukrainën.