Hipoteza e re e Erdoganit për rënien e Turqisë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i80725-hipoteza_e_re_e_erdoganit_për_rënien_e_turqisë
Rexhep Taip Erdogan, president i Turqisë deklaron se Turqia nuk mund të fundoset për shkak të një pastori. Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan tha se beson që vendi i tij gjendet në prag të fitoreve dhe sukseseve të reja.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shtator 01, 2018 16:19 Europe/Tirane
  • Hipoteza e re e Erdoganit për rënien e Turqisë

Rexhep Taip Erdogan, president i Turqisë deklaron se Turqia nuk mund të fundoset për shkak të një pastori. Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan tha se beson që vendi i tij gjendet në prag të fitoreve dhe sukseseve të reja.

Erdogan publikoi një mesazh me rastin e 30 Gushtit, Festës së Fitores, 96-vjetori i triumfit kyç turk ndaj forcave greke gjatë Luftës së Pavarësisë. Duke shprehur urime për festën, presidenti turk tha: "Arritja e objektivave të vitit 2023 do të na japë drejtim neve dhe të ardhmes së gjithë rajonit tonë. Edhe 30 Gushti, ashtu sikurse fitoret tona të tjera, na tregon se pavarësisht vështirësive, ka gjithmonë një rrugë të hapur që çon në sukses". Ai vuri në dukje se arritjet që vendi ka shënuar në 16 vitet e kaluara tregojnë se një gjë e tillë është e mundur. "Sot besoj se jemi në prag të fitoreve dhe sukseseve të reja. Patjetër do ta fitojmë edhe këtë betejë bashkë me ata që i besojnë Turqisë dhe popullit turk. Më këtë rast, uroj që mëshira e Allahut të jetë mbi dëshmorët dhe veteranët tanë", shtoi Erdogan. "Fitorja e 30 gushtit është emri i vendosmërisë sonë të shndërruar në një ngritje të re. Populli turk i tregoi edhe një herë botës vullnetin e tij për mbrojtjen e pavarësisë dhe të ardhmes së tij përballë ambicieve imperialiste. Ashtu si në çdo periudhë të historisë sonë, ne luftojmë për të gjithë të shtypurit dhe viktimat që kanë lidhur shpresën e tyre te ne", tha Erdogan në mesazhin e tij me rastin e Ditës së Fitores. Ndryshe, Dita e Fitores shënon betejën përfundimtare kundër forcave greke në Dumlupinar. Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, tha se Turqia ka nevojë për t'u pajisur me sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 për të garantuar sigurinë e saj, pasi vendit i janë mohuar të gjitha alternativat e tjera. "Secilit i jepet e drejtë në luftën kundër terrorizmit, por gjërat ndryshojnë kur bëhet fjalë për Turqinë, ndërkohë që ne jemi lënë vetëm përballë sulmeve ndaj vendit tonë nga veriu i Irakut prej vitesh dhe nga Siria", tha Erdogan në një ceremoni diplomimi në një shkollë ushtarake në Balikesir, duke ju referuar sulmeve të organizatave terroriste ndaj Turqisë. Ai theksoi se Turqisë madje nuk i janë dhënë armët që ka kërkuar për mbrojtjen e kufijve, duke shtuar se armët që Turqia ka kërkuar t'i blejë, organizatave terroriste u janë dhënë falas dhe se i janë mohuar edhe alternativat e tjera. "Është e pamundur që ne t'i pranojmë këto imponime. Turqia ka nevojë për sistemet S-400 dhe tashmë ka marrëveshje të arritur. Andaj, shpresojmë që së shpejti t'i marrim", deklaroi Erdogan. Dhjetorin e kaluar, Turqia njoftoi se kishte përfunduar marrëveshjen me Rusinë për blerjen e dy sistemeve S-400 deri në fillim të vitit 2020. Këtë prill, dy palët ranë dakord për dorëzim më të hershëm të sistemeve. S-400 është sistemi më i përparuar anti-ajror me rreze të gjatë i Rusisë, me aftësi për të bartur tri lloje të raketave të afta për të shkatërruar objektivat, duke përfshirë raketat balistike dhe raketat "lundruese".