Brexit, pro dhe kundër planit të Theresa May
Me një fushatë të re, kundërshtarët e kryeministres britanike Theresa May tentojnë ta dobësojnë pozitën e saj. May nuk përjashton mundësinë e zgjedhjeve. Ndërsa laburistët kërkojnë referendum tjetër.
Në qytetin veriperëndimor britanik Bolton, një nga qendrat e kritikëve të Bashkimit Evropian, është krijuar një lëvizje mbipartiake për mbështetjen e Brexitit – “Save Brexit Campaign”. Në krye të kësaj fushate janë ish-ministri për Brexit David Davis nga radhët e konservatorëve, deputetja e laburistëve Kate Hoey dhe populisti i djathtë Nigel Farage.
“Ne nuk kemi votuar për një varg të marrëveshjeve”, tha Farage, ish-kryetar i partisë skeptike ndaj BE, Ukip, para rreth 1000 simpatizantëve të mbledhur. “Kjo ishte një votë e rikthimit të vendit tonë në duart tona, nxjerrjes dhe përcaktimit të ligjeve tona, për kontrollin e kufirit të jashtëm, si dhe për pavarësinë e vendit tonë.”
Kundërshtimet e MayDavis ka qenë në verën e kaluar një prej kundërshtarëve të ideve të kryeministres Theresa May dhe për këtë shkak ka dhënë dorëheqje nga posti i tij. Ai nuk ishte dakord që Britania e Madhe pas marsit të vitit 2019 të vazhdojë me marrëdhëniet e deritanishme me Bashkimin Evropian. Kryeministrja May mendon se nuk ka ndonjë alternativë më të mirë se plani i ashtuquajtur “Chequers-Plan”, të cilin e ka paraqitur në korrik dhe për të cilin ajo mendon se është baza më e mirë për dalje nga BE dhe për rapotet e ardhshme me BE.
May mendon se mes Britanisë së Madhe dhe BE duhet të ketë një zonë të lirë tregtie, se standardet e BE duhet të rishikohen dhe se duhet të ketë marrëveshje të veçanta për mallra dhe dogana. Brukseli ka frikë se kjo do të rezultonte me qasjen e sërishme britanike në tregun e brendshëm në BE. Gjithnjë e më shumë po flitet për qëllimet e Britanisë së Madhe dhe Theresa May do që të marrë vetëm gjërat më të mira për vete, ndërkohë që do të heqë dorë nga obligimet. Pyetja kryesore në negociatat e Brexitit është se si do të organizohen kontrollet kufitare mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës, e cila do të mbetet anëtare e Bashkimit Evropian.