Policia turke heton brenda Konsullatës saudite në Stamboll
Policia turke po kryen një operacion kërkimi në Konsullatën Saudite në Stamboll, pas zhdukjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi.
Policia turke thuhet se posedon një incizim audio, që thuhet se tregon se gazetari disident saudit, Jamal Khashoggi, u vra në konsullatën saudite në qytetin turk të Stambollit, pohuan një zyrtar dhe një burim i sigurisë turk, ndërsa Arabia Saudite ende këmbëngul se nuk ka dijeni për fatin e shtetasit të saj. "Policia turke posedon një regjistrim audio që tregon se Khashoggi u vra në konsullatën saudite", citon të hënën Reuters të dy burimet duke folur në kushte anonimiteti, duke mos dhënë detaje të mëtejshme. Zyrtarët turq thuhet se kanë ndarë me Uashington përmbajtjen e regjistrimeve audio dhe video që dyshohet se përmbajnë prova që mbështesin pohimet se gazetari u vra nga qeveria saudite. Jamal Khashoggi, i njohur për kritikat e tij ndaj politikave të Arabisë Saudite, është zhdukur që nga 2 tetori pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll. Policia turke po shqyrton aktualisht versionin që pretendon se trupi i gazetarit opozitar saudit, mund të ishte tretur në acid, njoftoi të hënën televizioni Haberturk.