Amerika angazhohet për marrjen e provave mbi rastin Khashoggi
SHBA i ka kërkuar Turqisë që të sjellë dëshmitë filmike se gazetari saudit Jamal Khashoggi u vra në konsullatën saudite të Stambollit.
"Ne e kemi kërkuar atë, nëse ekziston," u tha Presidenti Donald Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Khashoggi nuk është parë që kur hyri në ndërtesë më 2 tetor. Arabia Saudite e mohon vrasjen e tij. Ndërkohë, Washington Post ka botuar kolonën e fundit që zoti Khashoggi shkroi para zhdukjes së tij. Në kolonë ai flet për rëndësinë e një shtypi të lirë në Lindjen e Mesme. Redaktori i opinioneve të gazetës, Karen Attiah, tha se lirimi i tij ishte vonuar me shpresën se Khashoggi do të kthehej në mënyrë të sigurt. "Tani unë duhet të pranoj: Kjo nuk do të ndodhë. Kjo është pjesa e fundit e tij që unë do të redaktoj për The Post", shkruante ajo. "Kjo kolonë në mënyrë të përkryer kap angazhimin e tij dhe pasionin për liri në botën arabe, një liri për të cilën, me sa duket, dha jetën e tij". Sekretari i Shtetit i SHBA-ve Mike Pompeo tha dje se presidenti turk Taip Erdogan i kishte bërë të qartë se zyrtarët sauditë po bashkëpunonin me Turqinë në hetimet për gazetarin e zhdukur, Jamal Khashoggi. “Ai bëri të qartë se sauditët kishin bashkëpunuar për hetimin ku turqit janë të angazhuar dhe se ata do të ndajnë informacionet që mësojnë me autoritetet arabe gjithashtu” tha Pompeo. Këto deklarata, Sekretari Amerikan i Shtetit i bëri pasi la Ankaranë ku takoi presidentin turk Erdogan, ndërsa më herët kishte takuar edhe princin e kurorës në Arabinë Saudite, Muhamed bin Salman. “Ka pasur disa vonesa, por autoritetet turke dukeshin shumë të sigurta se sauditët do t’i lejonin ata të bënin gjërat që duhet të bënin, për të përfunduar hetimin e tyre të plotë”, tha ai. Gazetari arab Jamal Khashoggi u zhduk më 2 Tetor, pasi kishte hyrë në konsullatën saudite në Stamboll, për të marrë një dokument martesor, por nuk kishte mundur të dalë që andej.