Gjermania nuk përkrah idenë e Macronit për një ushtri europiane
https://parstoday.ir/sq/news/world-i82798-gjermania_nuk_përkrah_idenë_e_macronit_për_një_ushtri_europiane
Gjermania nuk është aq entuziaste sa Franca për të ashtuquajturën “ushtri” europiane. Parisi është vënë në krye të nismës 10-vendëshe, që synon përballjen me sfida të reja jashtë strukturave ekzistuese, por Berlini druhet se ky projekt mund të vështirësojë ndërhyrjet e tij jashtë kufijve e të minojë Bashkimin Europian.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Nëntor 08, 2018 18:12 Europe/Tirane
  • Gjermania nuk përkrah idenë e Macronit për një ushtri europiane

Gjermania nuk është aq entuziaste sa Franca për të ashtuquajturën “ushtri” europiane. Parisi është vënë në krye të nismës 10-vendëshe, që synon përballjen me sfida të reja jashtë strukturave ekzistuese, por Berlini druhet se ky projekt mund të vështirësojë ndërhyrjet e tij jashtë kufijve e të minojë Bashkimin Europian.

Ministrat e Mbrojtjes të 10 vendeve të përfshira në këtë nismë u mblodhën në Paris, me qëllimin të përcaktojnë një axhendë për të ashtuquajturën “Nisma europiane e ndërhyrjes, EI2”. “Në mënyrë që t’i përballojë më mirë kërcënimet e reja, Europës i nevojitet një mbrojtje e fuqishme”, ishte argumenti i Ministrisë franceze të Mbrojtjes. Objektivi i “EI2” është të krijojë një strategji të mbështetur në rezultate, e cila të lejojë përgjigjen e shpejtë me operacione të përbashkëta ushtarake, ku të përfshihen edhe përpjekjet humanitare. Si e tillë, ajo praktikisht nuk synon krijimin e një ushtrie europiane, e cila të ngrihet mbi kombet. Por, duke qenë se bëhet fjalë për një nismë jashtë BE-së dhe NATO-s, Ministria franceze e Mbrojtjes është përpjekur të qetësojë frikën se plani mund të minojë strukturat ekzistuese të mbrojtjes brenda bllokut dhe aleancës. Përpjekjet e Francës, megjithatë, nuk i kanë fashitur shqetësimet e Berlinit, të cilin Parisi e shikon si aktor kyç në këtë nismë. Gjermanët nuk i bind fakti që diçka do të organizohet me vetëdije të plotë jashtë strukturave të Bashkimit Europian, madje mendojnë se një lëvizje e tillë mund ta minojë BE-në. Përpos kësaj, disa vëzhgues theksojnë se nisma e ndërmarrë nga Franca mund të përdoret si mjet në duart e Parisit, që të përforcojë objektivat e tij të politikës së jashtme.