Vazhdojnë kundërshtimet ndaj Brexit
https://parstoday.ir/sq/news/world-i82858-vazhdojnë_kundërshtimet_ndaj_brexit
Një tjetër Johnson është dorëhequr nga qeveria britanike për shkak të “Brexit”-it. Pas Boris Johnsonit, tashmë është vëllai i tij Jo Johnson që braktis Ministrinë e Transportit, e madje i bën thirrje publikut që të flasë sërish mbi çështjen e shkëputjes nga Bashkimi Europian.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Nëntor 11, 2018 04:56 Europe/Tirane
  • Vazhdojnë kundërshtimet ndaj Brexit

Një tjetër Johnson është dorëhequr nga qeveria britanike për shkak të “Brexit”-it. Pas Boris Johnsonit, tashmë është vëllai i tij Jo Johnson që braktis Ministrinë e Transportit, e madje i bën thirrje publikut që të flasë sërish mbi çështjen e shkëputjes nga Bashkimi Europian.

Sipas deputetit Jo, marrëveshja e shkëputjes që po negociohet aktualisht me Bashkimin Europian “do të jetë një gabim i tmerrshëm”. E duke argumentuar se Britania ndodhej “në prag të krizës më të madhe” që prej Luftës së Dytë Botërore, ai tha se ajo që po ofrohet në tryezë “nuk ka të bëjë aspak me atë që ishte premtuar”. “Doëning Street”, gjithsesi e falënderoi Jo Jonsonin për punën e bërë deri më tani, por përjashtoi mundësinë e mbajtjes së një tjetër referendumi. Jo Jonson votoi për të qëndruar në BE në referendumin e vitit 2016, ndërsa vëllai i tij Boris, i cili dha dorëheqjen në korrik nga posti i Sekretarit të Jashtëm, ishte një prej udhëheqësve të fushatës pro “Brexit”-it. Vëllai i tij e lavdëroi vendimin e Jo, duke thënë se ata ishin “të bashkuar në kauzë” sa i përket mënyrës së menaxhimit nga kryeministrja të negociatave. Ministrat e kabinetit janë ftuar këtë javë për të lexuar draftin e marrëveshjes së tërheqjes së Britanisë nga BE-ja. Theresa May ka thënë më herët se marrëveshja është rreth 95% e kryer, por ende nuk ka një pakt mbi mënyrën sesi do të garantohet një kufi me kushte shtrënguese në Irlandën e Veriut. Udhëheqësit europianë të biznesit thanë se marrëveshja për Brexit duhet të gjendet urgjentisht, pasi pasiguria mbi daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian po çonte në më pak investime dhe minimin e rritjes ekonomike. “Ne jemi të shqetësuar, pasi koha është e ngushtë për të shmangur një Brexit pa marrëveshje, e cila do të dëmtonte si ekonominë e Britanisë së Madhe, ashtu edhe ekonomitë e 27 vendeve të BE-së”, tha grupi i Tryezës së Rrumbullakët Evropianë të Industrive, në një deklaratë të tij në Londër. Grupi shtoi gjithashtu se “një partneritet i ardhshëm BE-UK duhet të ketë rrjedhje të pandërprerë dhe pa fërkime të mallrave, të tilla si me një bashkim doganor dhe të krijojnë një mjedis rregullator të qëndrueshëm dhe të drejtë”. Aktualisht nuk ka ende një marrëveshje mes Britanisë së madhe dhe bashkimit Evropian, për mënyrën e daljes së vendit ishullor nga unioni, ndërsa vlen të theksohet se grupet negociatore po vijojnë punën me optimizëm. Kohët e fundit mijëra britanikë kanë dalë në rrugët e Londrës për të kërkuar një referendum të dytë mbi Brexit. Organizatorët thanë se ishte demonstrata "më e madhe, më e zëshme dhe më e rëndësishme" e këtij lloji. Demonstruesit kanë marshuar në drejtim te sheshit të parlamentit. Të udhëhequr nga votues të rinj të cilët janë dhe organizatorët e fushatës "People's Vote" kanë thënë se: "presin të jenë më shumë se 100.000 njerëz në protestë".  Edhe pse kryeministrja Theresa May ka përjashtuar një referendum të tillë, edhe pse deputetë nga të gjitha partitë kryesore po mbështesin demonstratën. Populli britanik votoi për të lënë BE-në me një diferencë prej 51.89% në 48.11% në një referendum në qershor 2016. Mbretëria e Bashkuar është planifikuar të largohet më 29 mars 2019, sipas kushteve të procesit dy-vjeçar të nenit 50.