Qeveria britanike mbështet kryeministren Theresa May
Kabineti qeveritar në Britaninë e Madhe ka dhënë mbështetjen e tij këtë të mërkurë për draftmarrëveshjen e rakorduar mes negociatorëve britanikë e evropianë për “Brexit”-in.
Këtë e ka njoftuar në një dalje të jashtëzakonshme për mediat kryeministrja britanike, Theresa May, pak pasi doli nga një takim që zgjati më shumë se 5 orë me të gjithë pjesëtarët e kabinetit. “Vendimi kolektiv i kabinetit ishte se qeveria duhej të binte dakord me draftin e marrëveshjes së shkëputjes dhe për të hartuar tashmë deklaratën politike”, tha May nga jashtë ambienteve të zyrës së saj në Doëning Street. Drafti i marrëveshjes mes britanikëve dhe negociatorëve të BE-së, për kushtet e daljes së Britanisë nga unioni, u publikua gjatë ditës së martë nga mediat në Londër. Ai u prit me kritika të shumta nga mbështetësit e Brexit-it, të cilët e akuzuan kryeministrin Theresa May se i është nënshtruar Bashkimit Evropian, duke pranuar kushte të ashpra të tyre.