Putin dhe Erdogan inaugurojnë gazsjellësin ‘Rrjedha Turke’
Me direktivën e presidentëve Erdogan dhe Putin të hënën pasdreke është zbritur në ujërat e Detit të Zi tubi i fundit i pjesës së nënujore të projektit të gazsjellësit ‘Rrjedha Turke’.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin ndoqën të hënën në Qendrën e Kongreseve në Stamboll një ceremoni që shënonte përfundimin e ndërtimit të pjesës që kalon në det e projektit të ‘Rrjedhës Turke’ (TurkStream), një gazsjellës që do të transportojë gazin rus në T Evropë përmes Detit të Zi dhe Turqisë. Në fjalimin që mbajti në këtë ceremoni Presidenti Erdogan pasi tha se projekti ‘Rrjedha Turke’ ka arritur në fazën e fundit të tij, nënvizoi se projekti i gazsjellësit ‘Rrjedha Turke’ ofron shumë përparësi jo vetëm për Turqinë, por edhe për fqinjët, rajonin e më gjerë. Gazsjellësi ‘Rrjedha Turke’ do të jetë gati pas testeve që do të realizohen në vitin 2019, tha Presidenti Erdogan. Kreu i shtetit turk e quajti Rusinë një partner "të besueshëm", me të cilin Turqia mund të bashkëpunojë në terma afatgjatë dhe një furnizues "të rëndësishëm" të gazit natyror. Kurse Putin në fjalën që mbajti në ceremoni tha: “Rusia me Turqinë prej shumë vitesh po e realizojnë në një mënyrë shumë të suksesshme bashkëpunimin në fushën e energjisë”. Putin tha se gazsjellësi ‘Rrjedha Turke’ do ta bëjë Turqinë një qendër "të rëndësishme" të gazit natyror dhe do të përmirësojë pozicionin e vendit në rajon. Lideri rus tha se materializimi i një projekti të tillë do të ishte i pamundur pa besimin reciprok midis dy vendeve, dhe e falënderoi Erdoganin për “vullnetin dhe guximin politik”.