BE aprovon marrëveshjen e Brexit, Juncker: Ditë e trishtë, një tragjedi!
Marrëveshja e tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian është miratuar nga udhëheqësit e BE-së, njoftoi Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk në një postim në Twitter.
27 udhëheqësit dhanë mbështetjen e tyre pas diskutimit më pak se një orë në Bruksel. Tusk sinjalizoi të shtunën se marrëveshja do të miratohej pasi Spanja tërhoqi shqetësimet e minutës së fundit në lidhje me Gjibraltarin. Marrëveshja duhet të miratohet nga Parlamenti i Britanisë, ku shumë deputetë janë kundra. Aprovimi i Brexit vjen pas më shumë se 18 muajsh negociata mes dy palëve, që filluan kur Mbretëria e Bashkuar vendosi të dilte nga unioni pas referendumit të 2016-ës. Britania do largohet nga BE më 29 mars 2019. Sidoqoftë, lajmi i nënshkrimit të marrëveshjes, sipas presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, është në fakt një tragjedi. “Është një ditë e trishtuar të shohësh një vend si Britania e Madhe të dalë nga BE. Nuk është një moment gëzimi dhe as feste. Është një ditë e trishtuar, një tragjedi”, tha Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Europian. Parlamenti i Britanisë së Madhe pritet të votojë mbi marrëveshjen në fillim të dhjetorit, por miratimi i tij nuk është aspak i garantuar. Kryeministrja Theresa May ka bërë thirrje për miratimin e marrëveshjes, duke argumentuar se është marrëveshja më e mirë që mund të arrihej.