Rreziku i luftës totale Rusi-Ukrainë
Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko ka shpallur gjendjen e luftës në disa zona, për shkak të grumbullimit të forcave ruse në kufi me këtë vend.
Pasojat mund të jenë të rënda. Aktualisht të gjitha informacionet cojnë në një konkludim: Konflikti i ri mes Ukrainës dhe Rusisë duket i pashmangshëm. Presidenti Petro Poroshenko ka kritikuar Rusinë për grumbullimin e forcave dhe ka shpallur gjendjen e luftës. Armata Ruse ka grumbulluar shumë tanke dhe pajisje të tjera në afërsi të kufirit me Ukrainën, thotë presidenti ukrainas Petro Poroshenko. Në kufi është ngritur në mënyrë dramatike dhe numri i njësive ushtarake. Ekziston rreziku i një "lufte totale", thotë presidenti ukrainas. Agjencia ruse e lajmeve Interfax, njoftoi se qeveria në Moskë do të dërgojë në Krime edhe sistemet e reja raketore për mbrojtje, Typ S-400. Sistemet do të jenë të gatshme për përdorim deri në fund të vitit. Përshkallëzimi i situatës erdhi pasi tre ditë më parë pala ruse kapi tre anije ukrainase dhe ekuipazhin e tyre që po lundronin në brigjet e Detit Azov, afër Krimesë. Pas kësaj, Gjykata ka urdhëruar dënimin me 60 ditë burg për një pjesë të ekuipazhit të akuzuar për tejkalim të ujërave territorialë, ndërsa pjesëtarët e tjerë do të gjykohen këtë të mërkurë. Por tashmë situata ka kaluar konfliktin mes dy shteteve. Në ditët e fundit, Departamenti Amerikan i Shtetit, por edhe diplomatë europianë, i kanë dënuar veprimet e Kremlinit si një përshkallëzim i rrezikshëm i situatës, dhe kanë paralajmëruar me sanksione të reja kundër Rusisë.