Senatorja amerikane: Trump i ka mbyllur sytë ndaj krimeve saudite
Një anëtare e Senatit amerikan tha se presidenti i SHBA injoron vrasjen e mijëra njerëzve në Jemen me armë amerikane, në mënyrë që të ruajë kontratat e armëve me Arabinë Saudite.
Sipas televizionit al-Jazeera, Elizabeth Warren një senatore demokrate nga shteti i Oklahomës, tha se në vend të kritikimit të sauditëve për vrasjen e Jamal Khashogit, një gazetar i Uashington Post, dhe mijëra civilëve jemenas, Trump mbulon këto krime dhe kundërshton ndalimin e shitjeve të armëve në Arabinë Saudite për të mbajtur të lumtur tregtarët e armëve në SHBA. Warren shtoi se kjo ndodh ndërsa mijëra civilë të pafajshëm jemenas u vranë nga armët amerikane. Gjithashtu Trump këmbëngul se princi i kurorës saudite Muhamed bin Salman nuk ka lidhje me vrasjen e gazetarit kritik saudit Jamal Khashoggi. Por mbi 400 mesazhe private në WhatsApp të dërguara nga Jamal Khashoggi shokut të tij të Arabisë Saudite mund të ofrojnë të dhëna të freskëta mbi gazetarin e vrarë. Në bisedën e tij me aktivistin me bazë në Kanada, Omar Abdulaziz, Khashoggi e përshkruan princin Muhamed bin Salman si një “kafshë” i cili do të “përpijë të gjithë në rrugën e tij, madje edhe përkrahësit e tij “.“Arrestimet janë të pajustifikuara dhe nuk i shërbejnë atij, por tirania nuk ka logjikë, ai e do forcën, shtypjen dhe nevojën për t’i treguar ato. Ai është si një kafshë që sa më shumë viktima që ha, kërkon edhe më shumë. Nuk do të jem i befasuar nëse tirania e tij do të arrijë edhe tek ata që e përkrahin atë. Zoti e di”, shkruante Khashoggi, sipas CNN. Abdulaziz beson se mesazhet mes tij dhe Khashoggi u kapën nga autoritetet saudite në gusht, dy muaj përpara se Khashoggi të vritej nga zyrtarë sauditë brenda konsullatës së tyre në Stamboll. Abdulaziz i tha CNN-së se ka në plan të bashkohet me një padi kundër një kompanie izraelite që thuhet se shpiku softuerin për të sulmuar telefonin e tij. Ai i tha CNN se sulmi i telefonit “luajti një rol të madh në atë që ndodhi me Jamalin”.