Erdogan mirëpret vendimin e Trump për largimin nga Siria
Presidenti turk Tayyip Erdogan tha të premten se Turqia do të presë për një operacion ushtarak kundër luftëtarëve kurdë në Sirinë verilindore, ndërsa ai përshëndeti vendimin e Uashingtonit për të tërhequr trupat e saj në këtë zonë.
Njoftimi i befasishëm nga Presidenti i SHBA, Donald Trump këtë javë që Uashingtoni do të tërhiqte rreth 2.000 trupat e saj, ka ngritur shqetësim rreth politikës amerikane në Lindjen e Mesme. Kritikët thonë se kjo do ta bëjë më të vështirë për një zgjidhje diplomatike të konfliktit 7 vjeçar në Siri, që ka shkaktuar qindra mijëra viktima e miliona të zhvendosur. Por për Ankaranë, vendimi i Trump largon një burim fërkimi me Shtetet e Bashkuara. Erdogan ka kritikuar aleatin e tij të NATO-s për rolin në Sirinë verilindore, ku Uashingtoni ka mbështetur luftëtarët kurdë YPG. Turqia e konsideron YPG një organizatë terroriste dhe një degë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), që lufton një shtet autonom kur përgjatë kufirit me tokën turke. Erdogan njoftoi planet javën e kaluar për të filluar një operacion në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të larguar YPG nga zona, të cilën e kontrollon. "Ne kishim vendosur javën e kaluar për të nisur një inkursion ushtarak në lindje të lumit Eufrat ... Biseda jonë telefonike me Presidentin Trump, së bashku me kontaktet midis diplomatëve tanë dhe zyrtarëve të sigurisë dhe deklaratave nga Shtetet e Bashkuara, na kanë detyruar të presim pak më gjatë ", tha ai në një fjalim në Stamboll. "Ne kemi shtyrë operacionin tonë ushtarak në brigjet e lumit Eufrat deri sa të shohim në terren rezultatin e vendimit të Amerikës për t'u tërhequr nga Siria". Pas planeve për tërheqje nga Siria, nga Uashingtoni mbërrijnë lajmet se trupat amerikane do të tërhiqen në një numër të konsiderueshëm edhe nga Afganistani. Raportimet në mediat amerikane tregojnë se më shume se gjysma e 14 mijë trupave që ndodhen atje mund të largohen brenda disa muajve. Planet për tërheqje të pjesshme nga Afganistani nuk janë konfirmuar ende nga zyrtarë në SHBA, ndërsa në Afganistan lajmi është pritur me deklarata që përjashtojnë probleme për sigurinë edhe nëse amerikanët ikin. Zëdhënësi i Presidencës afgane tha se fakti që do të ikin nga Afganistani ato pak mijëra trupa që kanë rol parësor këshillimin dhe mbështetjen teknike, sipas tij, nuk do të ketë ndikim në situatën e sigurisë. SHBA ka një prani ushtarake në Afganistan që prej vitit 2001, duke shënuar dhe luftën më të gjatë në histori ku janë të përfshirë amerikanët, por edhe ky agresion ushtarak duket se ka përfunduar me disfatë për SHBA-të.