Rusia dëshiron një marrëveshje me BE për tregtinë me euro
Ministri i Rusisë për Zhvillimin Ekonomik bën thirrje që dollari të hiqet në marrëdhëniet tregtare të BE me vendin e tij.
Maxim Oreshkin tha të martën se dollari nuk është i vetmi sistem zyrtar i pagesave midis Rusisë dhe Evropës, dhe shtoi se pjesa e dollarit në tregtinë e jashtme të Rusisë, duke përfshirë edhe me vendet evropiane, po bie. "Tregtia e lëndëve të para (nafta, gazi) me euro do të rezultojë në një reduktim të ndjeshëm të pjesës së dollarit në pagesat financiare të të dyja palëve" tha ministri rus për Zhvillimin Ekonomik . Rusia po tregton me monedha kombëtare me disa vende, duke përfshirë Kinën dhe Indinë, dhe po konsideron një projekt të tillë edhe për shkëmbimet tregtare dhe ekonomike mes Iranit dhe Rusisë. Politikat e njëanshme të Presidentit amerikan Donald Trump, duke përfshirë tërheqjen nga marrëveshjet ekonomike, luftën tregtare me partnerët dhe rivalët, si dhe kërcënimet për sanksione nga SHBA, kanë shtyrë shumë qeveri të mendojnë për krijimin e një sistemi të pagesave të pavarura nga dollari, duke përdorur valuta të tjera ose kryerjen e tregtisë me monedhat e tyre kombëtare.