Parlamenti anglez i jep ultimatum 3-ditësh kryeministres Theresa May
Parlamenti i Anglisë i ka dhënë një ultimatum prej 3 ditësh kryeministres Theresa May që ajo të gjejë një marrëveshje zëvendësuese për marrëveshjen aktuale për procesin e Brexit.
Parlamenti i Anglisë ka miratuar një plan sipas të cili kryeministrja Theresa May në rast të mos aprovimit të marrëveshjes për Brexit, duhet të gjejë një plan zëvendësues brenda 3 ditëve. Ditë më parë Kryeministrja britanike ka paralajmëruar kundërshtarët e Brexit për pasojat që do të sjellë votimi kundër marrëveshjes me BE mbi procesin e shkëputjes nga unioni. Britania do të largohet zyrtarisht nga BE-ja më 29 mars të këtij viti, por si politikanët edhe publiku anglez, shprehen se marrëveshja aktuale nuk përfaqëson vendimin e referendumit të vitit 2016. Britania e Madhe rrezikon të futet në "rrugë të panjohura" nëse ligjvënësit e saj nuk votojnë marrëveshjen e propozuar për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian. Ky ishte paralajmërimi që kryeministrja angleze Theresa May u drejtoi kundërshtarëve të saj politikë, pak ditë përpara mbledhjes së parlamentit për të diskutuar marrëveshjen e Brexit. Në një intervistë për rrjetin publik anglez të lajmeve BBC, kryetarja e qeverisë premtoi një sërë masash që do të bindin më skeptikët të votojnë pro marrëveshjes rreth javës së dytë të janarit. Qëndrimi i May ka ardhur vetëm pak ditë pas reagimit të krerëve më të lartë të BE, të cilët paralajmëruan realizimin e Brexit pavarësisht votimit në parlament.