Politikanët gjermanë irritohen nga kërcënimet e ambasadorit të SHBA
Politikanët konservatorë dhe të krahut të majtë gjermanë kanë kritikuar njëzëri ambasadorin e SHBA Richard Grenell mbi letrat e tij paralajmëruese për kompanitë e përfshira në projektin Nord Stream 2 dhe i bënë thirrje qeverisë gjermane të reagojë.
Zëvendëskryetari i fraksionit të krahut të majtë Die Linke në Bundestagun gjerman, Fabio De Masi, i ka bërë thirrje qeverisë të përballet me ambasadorin Grenell, duke vënë në dukje se sanksionet extraterritoriale kundër kompanive gjermane janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. "Ambasadori amerikan me sa duket ka fituar përshtypjen se ai është guvernatori i perandorit nga Uashingtoni në Gjermani", tha De Masi. Juergen Hardt, zëdhënësi i politikës së jashtme për grupin e Bashkimit Kristian Demokratik / Kristian Social në Bundestag, e cilësoi kërcënimin Grenell për kompanitë gjermane si "një përkeqësim i ri dhe i papranueshëm dhe i njëanshëm i tonit në marrëdhëniet transatlantike" dhe i bëri thirrje qeverisë së formuar nga CDU të protestojë. Zëvendësshefi i Social Demokratëve, Ralf Stegner, gjithashtu u bashkua me korin e politikanëve të irrituar duke postuar në Twitter. "A e di z. Grenell se koha e Komisionerëve të Lartë në Gjermani ka përfunduar?" shkroi ai duke iu referuar periudhës së pasluftës pasi Gjermania u çlirua nga regjimi nazist dhe u qeveris nga aleatët. Ministri i punëve të jashtme të Gjermanisë ka reaguar ndaj letrës kërcënuese të ambasadorit amerikan në Berlin për vendosjen e sanksioneve ndaj kompanive të Gjermanisë në rast të vazhdimit të mbështetjes ndaj projektit "North Streem 2", dhe deklaroi se ambasadori amerikan nuk duhet të ndërhyjë në çështjet evropiane. Megjithëse Rusia dhe Gjermania kanë mohuar në mënyrë të përsëritur çdo pretendim rreth bazës politike të Nord Stream 2, SHBA së bashku me Ukrainën, që do të anashkalohen nga tubacioni i ri, e kanë kundërshtuar fort projektin.