KE thirrje Londrës: Qartëso qëndrimin rreth BREXIT-it
Komisioni Evropian i ka bërë thirrje Britanisë së Madhe që të qartësojë qëndrimet rreth Brexit, pasi parlamenti britanik rrëzoi të martën marrëveshjen historike për daljen nga Bashkimi Evropian.
432 deputetë në total votuan kundër marrëveshjes së dakordësuar me BE-në, përfshirë 118 konservatorë, ndërsa në favor të saj u shprehën vetëm 202 konservatorë. Por presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, tha se duke ditur që shumica e ligjvënësve anglezë janë kundër akordit, mundësia më e mirë mund të jetë rishikimi i vendimit për Brexit dhe qëndrimi në union. Të tjerë zyrtarë të lartë, si kreu i Komisionit Europian apo kryenegociatori për Brexit, Mishel Barnie, paralajmëruan se Britania e Madhe nuk ka më kohë për të humbur dhe duhet të tregojë hapat që do të ndërmarrë pas disfatës në parlament. Hedhja poshtë e marrëveshjes Brexit një ditë më parë u komentua me pesimizëm edhe nga qeveria gjermane dhe ajo franceze, ndërsa Irlanda, si palë e interesuar në akordin me BE-në, deklaroi se po përgatitet që fqinji i saj të dalë nga unioni pa një marrëveshje. Debati për Brexit është fokusuar tashmë te votëbesimi i qeverisë britanike, pasi laburistët anglezë kanë propozuar një mocion kundër kryeministres Mej, duke e akuzuar qeverinë e saj për diletantizëm në mbarëvajtjen e të gjithë procesit Brexit.