Shpërthim me bombë në Kolumbi, 20 persona të vdekur
Të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe 68 të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi me bombë që ka ndodhur në Bogota të Kolumbisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 09:30 sipas orës lokale, në bazën e Shkollës së Përgjithshme “Santander”.
Shoferi i makinës, i cili u vra gjithashtu është identifikuar si Aldemar Rojas Rodriguez rreth 57 vjeç, ndërsa deri tani asnjë grup militant nuk ka marrë përgjegjësinë e sulmit.
Presidenti Ivan Duque e përshkroi sulmin si një "akt të çmendur terrorist" dhe deklaroi tri ditë zije kombëtare, raporton BBC.
"Kolumbia është e trishtuar, por nuk do të përkulet ndaj dhunës", tha më tej Presidenti Duque.
“Të paktën 68 persona janë lënduar, por pjesa më e madhe e tyre janë dërguar tashmë në shtëpi”, thanë zyrtarët.
Në mjet, sipas burimeve të policisë, gjendeshin 80 kg lëndë shpërthyese “pentolite”, që në të shkuarën është përdorur nga grupet guerrilase kolumbiane.
Autori i sulmit, Hoze Aldemar Rohas Rodriguez nuk ka të dhëna kriminale dhe jetonte në qytetin verior Bojaca, ku grupi rebel “Ushtria për Çlirim Kombëtar” është ende i pranishëm. Sidoqoftë, nuk ka të dhëna fillestare se ky grup qëndron pas sulmit, apo se autori kishte lidhje me të.
Një sulm i tillë me autobombë, në këto përmasa, nuk ndodhte prej kohësh në Bogota, teksa e gjeti kryeqytetin kolumbian të papërgatitur. Për më tepër, ai ndodhi në një shkollë policie, institucion që ka pësuar edhe shumë sulme gjatë kohës së dhunës së karteleve të drogës apo konfliktit të armatosur me rebelët e FARC.