Merkel riaktualizon synimin për të formuar ushtrinë evropiane
https://parstoday.ir/sq/news/world-i85032-merkel_riaktualizon_synimin_për_të_formuar_ushtrinë_evropiane
Berlin, 23 janar - Marrëveshja e re e nënshkruar midis Gjermanisë dhe Francës do të lehtësojë arritjen e një Evrope më të fortë dhe krijimin e një ushtrie të Bashkimit Evropian (BE), tha kancelarja gjermane Angela Merkel.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Janar 23, 2019 11:42 Europe/Tirane
  • Merkel riaktualizon synimin për të formuar ushtrinë evropiane

Berlin, 23 janar - Marrëveshja e re e nënshkruar midis Gjermanisë dhe Francës do të lehtësojë arritjen e një Evrope më të fortë dhe krijimin e një ushtrie të Bashkimit Evropian (BE), tha kancelarja gjermane Angela Merkel.

Duke folur në ceremoninë e nënshkrimit në Aachen, Merkel nënvizoi angazhimin për "një Evropë të fortë, të qëndrueshme dhe sovrane" dhe theksoi se traktati i ri franko-gjerman do të thellojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, duke zhvilluar një "kulturë të përbashkët ushtarake", një industri të përbashkët të mbrojtjes dhe një politikë të përbashkët në eksportet e armëve.

"Duke vepruar kështu, ne dëshirojmë të japim kontributin tonë në zhvillimin e një ushtrie të re evropiane. Kjo do të funksionojë vetëm nëse koordinojmë në të njëjtën kohë politikat tona të jashtme", theksoi ajo.

Marrëveshja prej 16 faqesh e qytetit Aachen parashikon një integrim më të thellë ekonomik, bashkëpunim më të ngushtë në politikën e jashtme, si dhe mbrojtjen dhe hartimin e një “Bashkimi Evropian të Mbrojtjes” .

Duke rikonfirmuar angazhimet e tyre ndaj NATO-s, të dy vendet garantojnë njëri-tjetrin për çdo mbështetje të mundshme në rastin e një sulmi të armatosur.

Sipas marrëveshjes së re, dy fuqitë kryesore të Evropës do të rrisin përpjekjet e tyre për të forcuar BE-në dhe për të kryer konsultime të rregullta para takimeve të BE-së për të koordinuar më mirë politikat e tyre.

Berlini dhe Parisi po ashtu do të rrisin programet kulturore dhe arsimore të shkëmbimit dhe do të mbështesin projektet e shoqërisë civile për të nxitur bashkëpunimin ndërkufitar.