Siria akuzon Turqinë për invazion dhe përkrahje të terroristëve
https://parstoday.ir/sq/news/world-i85155-siria_akuzon_turqinë_për_invazion_dhe_përkrahje_të_terroristëve
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kohët e fundit përmendi marrëveshjen e vitit 1998 me Damaskun, duke thënë se marrëveshja e lejon Ankaranë të hyjë në Siri kur të ndjehet e kërcënuar.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Janar 26, 2019 15:18 Europe/Tirane
  • Siria akuzon Turqinë për invazion dhe përkrahje të terroristëve

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kohët e fundit përmendi marrëveshjen e vitit 1998 me Damaskun, duke thënë se marrëveshja e lejon Ankaranë të hyjë në Siri kur të ndjehet e kërcënuar.

Ministria e Jashtme siriane reagoi ndaj deklaratës së fundit të Erdogan lidhur me marrëveshjen e vitit 1998 në Adana, duke e akuzuar Turqinë për shkeljen e marrëveshjes së Adanasë që nga viti 2011, duke mbështetur terroristët dhe duke okupuar territorin sirian, njoftoi agjencia siriane e lajmeve SANA duke cituar një përfaqësues të Ministrisë së Jashtme. "Siria konfirmon se është në përputhje me Marrëveshjen ndërshtetërore të Adanasë për Luftimin e Terrorizmit në të gjitha format e tij dhe të gjitha marrëveshjet që lidhen me të, por regjimi turk është duke shkelur marrëveshjen që nga viti 2011 e deri më tani duke sponsorizuar dhe mbështetur terrorizmin, duke trajnuar militantët dhe duke e bërë më të lehtë për ata të hyjnë në Siri, ose nëpërmjet pushtimit të territoreve siriane me grupet terroriste që Ankaraja kontrollon ose direkt me ndihmën e Forcave të Armatosura Turke ", tha një burim i Ministrisë së Jashtme siriane për  televizionin shtetëror sirian. Ministria e Jashtme siriane i kërkoi Ankarasë të "aktivizojë" marrëveshjen e vitit 1998, duke lënë territoret kufitare në situatën siç ishin para fillimit të luftës në vitin 2011. Marrëveshja e Adanasë u nënshkrua nga Siria dhe Turqia më 20 tetor 1998 dhe kishte për qëllim rivendosjen e marrëdhënieve dypalëshe pas një krize që u krijua për shkak të militantëve kurdë të strehuar në Siri të lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila është e regjistruar zyrtarisht si një organizatë terroriste në Turqi. Sipas marrëveshjes, Siria duhet të ndalojë aktivitetet e PKK në territorin e saj, duke përfshirë ndalimin e mbështetjes logjistike, materiale dhe financiare për këtë grup në territorin e saj, si dhe ndalimin e themelimit të kampeve, strehimeve dhe objekteve për trajnimin e militantëve. Turqia, nga ana tjetër, fitoi mundësinë për të marrë masat e duhura për të penguar kërcënimin terrorist. Aktualisht, Damasku është duke negociuar me kurdët, të cilët kërkojnë mbështetjen siriane përballë planeve ushtarake të Ankarasë për inkursion në zonat veriore të Sirisë. Rexhep Tajip Erdogan njoftoi se Ushtria Turke ishte gati të fillonte një ofensivë kundër forcave kurde në bregun lindor të Eufratit. Megjithatë, pas bisedimeve me Presidentin e SHBA, Donald Trump, i cili e informoi homologun e tij turk për planet për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, Erdogan braktisi planet e tij duke thënë se ofensiva do të fillojë vetëm pas tërheqjes së plotë të forcave amerikane.