Prova tjetër e Mayt, sot votohen amendamentet për Brexit
Kur kanë ngelur 30 ditë pune për të zgjidhur një nga nyjet më të vështira gordiane të politikës britanike ndoshta ndër shekuj, që nuk po dinë si ta zgjidhin prej dy vitesh, si dhe pas humbjes më spektakolare përpara dy javësh në Parlament, kryeministrja britanike duket se do të pësojë një tjetër të tillë gjatë kësaj të marte.
“Plani B” i saj për “Brexit”-in nuk do të votohet si i tillë gjatë seancës së sotme në Parlament, por disa amendamente të kërkuara nga deputetë të ndryshëm, të cilat besohet se do të mund të ndryshojnë kursin e divorcit të Britanisë nga Bashkimi Europian. Në to përfshihen opsionet e shtyrjes së “Brexit”-it për disa muaj dhe përgatitja për një referendum të dytë, heqja nga tavolina e opsionit të daljes pa marrëveshje paraprake me kontinentin pas 59 ditësh, apo zëvendësimi me disa alternativa të tjera për mbajtjen e hapur të kufirirt mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut pas “Brexit”-it; e para shtet i Bashkimit Europian dhe e dyta pjesë e Britanisë së Madhe. Por, se cili amendament do të votohet, kjo do të varet nga kryetari i Parlamentit. Gjithsesi, deri në mbrëmje, kur deputetët të votojnë, gjithçka mund të ndodhë. Gjasat janë që pas votimeve të sotme, kryeministrja të shkojë në Bruksel për t’iu ofruar udhëheqësve europianë opsionet e mundshme për të siguruar miratimin e marrëveshjes së negociuar mes Londrës dhe Brukselit vitin e kaluar, e cila u refuzua masivisht nga Parlamenti dy javë më parë. Çfarëdo që të ndodhë sot dhe në ditët në vazhdim, edhe sikur Britania të dalë pa asnjë marrëveshje me BE-në, ajo që e bën “Brexit”-in të pazbatueshëm pas 59 ditësh është se Parlamenti britanik nuk ka kohë të mjaftueshme fizike për të aprovuar legjislacionin e duhur për daljen nga Bashkimi Europian. Gjasat janë që “Brexit” edhe mund të ndodhë, por jo brenda 29 marsit. Kryeministrja britanike, Theresa May tha se Bashkimi Evropian dëshiron të pajtohet me një plan të daljes së Britanisë nga blloku, mirëpo iu mbetet ligjvënësve britanik të vendosin se çfarë plani të Brexitit e mbështesin. May i tha parlamentit se “ekziston vullneti në Bashkimin Evropian për të pranuar një marrëveshje me Britaninë mirëpo ata dëshirojnë të shohin se çfarë dëshiron Britania të jenë raportet me BE-në sipas asaj marrëveshje”. “Kjo është mundësia që kemi ne sot” tha May. Ligjvënësit britanikë, muajin e kaluar, kanë kundërshtuar planin e kryeministres britanike, Theresa May për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian, duke krijuar kaos në procesin e Brexitit dhe duke nxitur votën e mosbesimit ndaj qeverisë. Qeveria britanike i mbijetoi kësaj vote, mirëpo mbetet e paqartë se si do të procedohet me daljen e vendit nga Bashkimi Evropian.