Italia planifikon tërheqjen e trupave nga Afganistani
Italia po planifikon tërheqjen e trupave ushtarake nga Afganistani. Ministria e Mbrojtjes i ka kërkuar Komandës Operative të Forcave të Armatosura hartimin e një plani për tërheqjen e kontingjentit ushtarak italian nga Afganistani, brenda një periudhe kohore 12 mujore.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Mbrojtjes Elisabetta Trenta dhe është mbështetur nga një pjesë e mirë e politikës italiane. "Është një vendim pozitiv, komentojnë parlamentarët e Lëvizjes 5 Yje në komisionet e për çështjet e jashtme në dhomën e senatit dhe në dhomën e deputetëve. Planifikimi i tërheqjes së trupave pritet të kryhet në një periudhë kohore 12 muaj, gjë që i jep mundësi Italisë të analizoj pozicionin e saj në një këndvështrim më të gjerë në misionet e ndryshme ndërkombëtare ku merr pjesë,"-shprehen ata. Ndërsa burimet mediatike nga Partia Lidhja komentojnë se "ende nuk është marrë një vendim, por është vetëm një vlerësim i bërë nga Ministrja e Mbrojtjes Trenta. Qeveria, thonë ata, po punon në shërbim të paqes e stabilitetit." Kontingjenti ushtarak italian ndodhet në Herat prej vitit 2003 e aktualisht përbëhet nga 800 trupa.