Brexit-i në mëdyshje
Kryeministrja britanike Theresa May është shprehur se do bisedojë me BE për rihapjen e marrëveshjes së tërheqjes nga unioni.
Bashkimi Europian ka përjashtuar mundësitë për ndryshimet në tekstin ligjor të dakorduar me kryeministren britanike. Por May i tha kabinetit të saj se do ta kërkojë këtë gjë, pasi parlamenti hodhi poshtë marrëveshjen me shumicë votash. Deputetët votuan me 317 vota pro dhe 301 kundër për të zëvendësuar të ashtuquajturin Backstop, politikën e sigurimit që ka si qëllim të evitojë një kufi të ashpër në Irlandë, në rast të daljes nga blloku pa marrëveshje. Por, BE ka thënë se nuk do të ndryshojë tekstin për të cilin ka rënë dakord më herët me kryeministren britanike. Sidoqoftë, May do të bisedojë edhe me liderin e laburistëve, Jeremy Corbin, pasi deputetët mbështetën një amendament që refuzonte daljen nga BE pa marrëveshje. Kryeministrja tha se pas marrjes në konsideratë të votave dhe bisedimeve me BE, marrëveshja e saj e rishikuar do të kthehej në dhomën e komunave sa më shpejt që të ishte e mundur për një votim tjetër. Sidoqoftë, disa liderë të BE kanë thënë se nuk do të ketë rishikim të marrëveshjes. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se “Backstopi është pjesë e marrëveshjes së tërheqjes dhe kjo marrëveshje nuk është e hapur për rinegocime. “Backstop” është "politika e sigurimit" në marrëveshjen e tërheqjes, me qëllim që të sigurohet se çfarëdo që të ndodhë, nuk do të ketë ndryshim në kufirin midis Irlandës së Veriut dhe Republikës Irlandeze pasi Britania e Madhe të largohet nga BE. Tani kërkohet një garanci, se mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut, e cila mbetet në Britani të Madhe, nuk do të ketë një kufi me kontrolle, që janë normale në kufijtë e jashtëm të BE. Kjo është detyra e kryeministres May, por për momentin kjo detyrë duket e parealizueshme. BE, presidenti i Francës apo dhe kancelarja gjermane janë unikë - nuk ka negociata të reja. Çështja e kufijve ka përfunduar. BE shpreson se britanikët do ta kuptojnë rrezikun e kësaj loje dhe se në momentin e fundit do të humbasin durimin dhe do të kërkojnë zgjatjen e afatit për dalje nga BE (29 mars). Kjo do të evitonte humbje të mëdha dhe do të siguronte kohë për një Plan B të arsyeshëm. Por diplomatët në BE dhe deputetët atje janë lodhur me dramën rreth Brexitit. Pothuajse askush nuk është i bindur se britanikët do të dalin nga BE me 29 mars 2019. Shtyrje, fitim kohe dhe pritje. Kjo është për momentin taktika e vetme e BE.