Idlib: Turqia paralajmëron Kinën
Në gusht, ndërsa ushtria siriane po përgatitej të niste një ofensivë masive kundër Idlibit, Kina tha se ishte gati të merrte pjesë. Pse?
Terroristët Kaidistë të Partisë së Turkestanit, kryesisht të pranishëm në Idlib, përfshijnë midis anëtarëve të tyre shtetas kinezë me origjinë ujgure. Nëse do të niset një sulm kundër Idlibit, tani që sulmet terroriste po shumëfishohen nga ky qytet kundër pozicioneve të ushtrisë siriane në Alepo dhe Hama, a do të marrë pjesë Kina? Turqia padyshim është duke vëzhguar. Një grup turqish dolën në protesta të dielën, më 10 shkurt, në rrugët e Bursas dhe Stambollit për të shprehur zemërimin e tyre kundër politikave të qeverisë kineze ndaj ujgurëve. Turkestani Lindor, i njohur edhe si Xinjiang, ndodhet në Kinën Veriperëndimore dhe banorët e tij janë kryesisht Ujgurë. Ata jetojnë prej vitesh nën mbikëqyrjen e policisë kineze pas dhunës që shpërtheu në atë shtet. Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara, rreth një milion ujgurë dhe pakica turkofone kineze jetojnë në kampet e ri-edukimit. Në një deklaratë të dielën, Hami Aksoy, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, tha se trajtimi që u bëhet ujgurëve të Kinës është një "turp për njerëzimin". Trajtimi i ujgurëve në Kinë gjatë ditëve të fundit u bë një burim konflikti mes Ankarasë dhe Pekinit. Nëse ushtria siriane vendos ta çlirojë Idlibin, ujgurët që jetojnë atje do të detyrohen të ikin në Turqi. Disa burime numërojnë 5,000 ujgurë të pranishëm në Idlib, por duke pasur parasysh se 1,500 ujgurë u vranë në përleshjet me ushtrinë siriane, kjo tregon se numri real i tyre duhet të jetë shumë më i lartë. Më 5 gusht 2018, ambasadori i Kinës në Siri, Chi Chianjin, tha se ushtria kineze ishte e gatshme të ndihmonte trupat siriane në betejën e Idlibit, pasi nga lufta kundër terrorizmit në Siri përfiton jo vetëm kombi sirian, por edhe kombi kinez, madje edhe të gjitha kombet e botës. Ai theksoi se ushtria kineze synon të luftojë terroristët ujgurë të përfshirë në konfliktin në Siri.