Guterres shpreson në zgjidhjen e krizës në Venezuelë
Sekretari i përgjithshëm i OKB shpresoi se presidenti i Venezuelës dhe kreu i opozitës do të futen në bisedime për zgjidhjen e krizës.
Antonio Guterres në një konferencë për shtyp me rastin e 32- vjetorit të krijimit të Unionit Afrikan shpresoi se Nikolas Maduro dhe Juan Guaido do të diskutojnë në formë serioze për zgjidhjen e situatës në Venezuelë. Mesazhi i sekretarit të përgjithshëm të OKB vjen në kohën kur Presidenti i Venezuelës duke përbuzur ndihmat e Amerikës ndaj vendit të tij, ka theksuar se dhuratat e Uashingtonit më parë kanë shkatërruar Afganistanin, Irakun, Sirinë dhe Libinë. Nikolas Maduro në një prononcim për gazetarët, i ka quajtur helmuese ndihmat e ashtuquajtura humanitare të Amerikës për Venezuelën dhe ka kundërshtuar hyrjen e këtyre ndihmave në vendin e tij. Presidenti i Venezuelës ka akuzuar Amerikën për përpjekje për ta shkatërruar pavarësinë dhe sovranitetin e Venezuelës me pretekstin e dërgimit të ndihmave humanitare dhe ka thënë: "Ndihmat e Uashingtonit janë vetëm mbulesë për të fshehur krimet e Amerikës". Maduro gjithashtu ka theksuar se Karakasi është i gatshëm për ta bërë çdo hap në rrugën e bisedimeve dhe mirëkuptimit mes partive politike të Venezuelës. Maduro shtoi: "BE është bërë e shurdhër përball krizës së Venezuelës dhe po dëgjon vetëm skenarin e ekstremit të djathtë".