Rusia riatdheson 27 fëmijë të ISIS-it
Një zyrtar rus njoftoi se Moska ka riatdhesuar një grup të ri fëmijësh, nënat e të cilëve po mbahen në Irak lidhur me anëtarësimin e tyre në grupin terrorist ISIS dhe për përfshirjen e tyre në veprat penale në këtë vend.
"Njëzet e shtatë fëmijë rusë janë riatdhesuar nga Bagdadi", tha një zyrtar i Ministrisë së Jashtme ruse. Baballarët e fëmijëve u vranë gjatë tre viteve të luftimeve midis militantëve dhe trupave irakiane, tha zyrtari rus. Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, 30 fëmijë rusë të lindur nga terroristët e ISIS u kthyen në Moskë nga Iraku. Komisionerja ruse për të Drejtat e Njeriut, Tatiana Moskalkova tha më 4 dhjetor se Moska kishte marrë qindra kërkesa nga të vejat e terroristëve të ISIS që u vranë në Irak apo Siri gjatë disa viteve të fundit, për t'u kthyer në shtëpi. Ajo tha se mbi 1,000 kërkesa u ishin dorëzuar autoriteteve ruse, duke shtuar se gratë kishin vuajtur "një dhunë të paimagjinueshme".