Princi saudit mbron kampet e përqendrimit për myslimanët në Kinë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i85966-princi_saudit_mbron_kampet_e_përqendrimit_për_myslimanët_në_kinë
Trashëgimtari i fronit saudit Muhamed bin Salman, gjatë vizitës në Kinë, doli në mbrojtje të kampeve të riedukimit për myslimanët në vendin më të populluar në botë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shkurt 23, 2019 10:09 Europe/Tirane
  • Princi saudit mbron kampet e përqendrimit për myslimanët në Kinë

Trashëgimtari i fronit saudit Muhamed bin Salman, gjatë vizitës në Kinë, doli në mbrojtje të kampeve të riedukimit për myslimanët në vendin më të populluar në botë.

Për shkak të këtyre kampeve, shumë organizata ndërkombëtare për të drejtat të njeriut tash e një kohë të gjatë e akuzojnë Kinën.

"Kina ka të drejtë të zbatojë masa antiterroriste dhe të kundër ekstremizmit për shkak të sigurisë së vet kombëtare”, citon Al-Xhazeera të ketë thënë Muhamed bin Salman, i biri i mbretit Salman, vendi që mendohet të jetë djep i mbrojtjes së islamit.

Sipas disa vlerësimeve, Kina nëpër këto kampe mban rreth një milion ujgurë që kalojnë nëpër programe riedukimi, të cilat, siç thotë Pekini, kanë për qëllim luftën kundër ekstremizmit.

Ujgurët janë grup etnik i popujve turq që e praktikojnë islamin e që jetojnë në pjesët perëndimore të Kinës dhe në ato qendrore të Azisë.

Autoritete në Pekin akuzojnë ujgurët nga rajoni perëndimor Xinjiang ta përkrahin terrorizimin, ndaj dhe kanë marrë masa mbikëqyrëse ndaj tyre. Po ashtu, sipas disa thënieve, një milion myslimanët nëpër kampe detyrohen të mësojnë për komunizmin.